Bllokoi makinën me transformatorin, në hetim kandidati i Opozitës në Has, e kallëzoi vajza e kandidatit të PS, djemtë e të cilit u kapën me pakot e rezervave të shtetit
Procedohet penalisht kandidati i koalicionit "Bashkë Fitojmë" për bashkinë e Hasit, Miftar Dauti.
Ngjarja vjen një ditë pasi kandidati i PS, Halit Mulaj, denoncoi se Dauti dhe kushërinjtë e tij kishin bllokuar mjetin e OSHEE që po transportonte një transformator për fshatin e Helshanit që kishte mbetur në errësirë.
Kallëzimi është bërë nga përgjegjësja pranë Zyrës së OSSH-së, dega Has, Entjola Mulaj, vajza e kandidatit të PS.
Njoftimi i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. D., 56 vjeç, banues në fshatin Golaj, pasi më datë 18.04.2023, ka kallëzuar shtetasja E. M., 28 vjeçe, me detyrë Përgjegjëse pranë Zyrës së OSSH-së, dega Has, se është kanosur nga shtetasi M. D.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. D., 56 vjeç, S. D., 43 vjeç dhe F. D., 52 vjeç, të tre banues në fshatin Golaj, pasi më datë 19.04.2023, ka kallëzuar shtetasi I. A., me detyrë elektriçist pranë OSHEE-së, Krumë, se në fshatin Helshan, gjatë procesit të tij të punës, për dërgimin e një transformatori të energjisë elektrike, në këtë fshat, është kundërshtuar për kryerjen e këtij procesi pune, nga shtetasit M. D., S. D. dhe F. D.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”.