Berisha sot në SPAK, Paloka: Drejtësia e re, armë që iu dha në dorë Ramës për të luftuar opozitën. Pse s’ka masë për Erion Veliajn sot?
Prokuroria e Posaçme (SPAK) pritet t’i komunikojë sot akuzat ish-kryeministrit Sali Berisha, si dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
Kreu i Partisë Demokratike pritet të paraqitet në SPAK në orën 12:00 të së mërkurës, ndërsa dhëndri i tij, Malltezi, dy orë më pas, pra rreth orës 14:00.
Ndërkohë, demokratët janë mobilizuar sot të mblidhen para godinës së Prokurorisë së Posaçme, në shenjë proteste për atë që Sali Berisha e ka quajtur shpesh herë si “arrestim politik”.
Berisha akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të larte shteterore ose te zgjedhurve vendore, kryer në bashkëpunim. Ish-kryeministri i ka konsideruar akuzat ndaj tij dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, si sulm politik, pasi sipas tij, nuk ka asnjë fakt dhe dokument që të ngrihen dyshimet mbi akuzat.
Kujtojmë se prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në “arrest në shtëpi” me mbikqyrje policore, ku i ndalohen dhe kontaktet me personat e tjerë, përveç se me familjarët që qëndrojnë në të njëjtën banesë
Për nënkryetarin e Partisë Demokratike Edi Paloka ky proces është i mirëfilltë politik.
Në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News”, Paloka u shpreh se drejtësia e re është një armë që iu dha në dorë Ramës për të luftuar opozitën.
Dhe në këtë kuptim Paloka theksoi se pse nuk ka masë për Erion Veliajn sot nga SPAK, ku krimet e tij në Tiranë janë nga më monstruozet.
“Dy janë arsyet e thirrjes sot: E para që janë tejkaluar afatet për ta mbajtur zyrtarisht Berishën nën hetim.
Dhe e dyta, është bërë e qartë tashmë që të dyja palët kanë ndezur motorët e fushatës, dhe SPAK synon ta mbajë Berishën në akuzë dhe të krijojë pamundësinë që ai të jetë në krye të fushatës dhe fitores së zgjedhjeve në vitin 2025.
Pasi SPAK me atë detyrë që ka është kthyer në Sigurimin e Shtetit të dikurshëm, ku në vend të ish-sigurimsave janë këta prokurorët që duhet të ishin ata prapa hekurave.
Nuk ka rëndësi se sa akuza ngre SPAK, por fakti është se Berisha ndodhet në akuzë për një vendim qeverie që kanë përfituar mijëra e mijëra qytetarë.
E bukura e gjithë kësaj është se Rama nuk fshihet në pasjen nën kontroll të drejtësisë dhe rasti Beleri është dëshmia më e qartë e kësaj kapjeje, ku Rama i tregoi kujtdo që “unë jam ai që të burgos dhe unë jam ai që të liroj”.
Dhe për të kuptuar këtë sjellje me dy standarde, kemi dhe rastin flagrant ku ndaj Erion Veliajt soyt nuk ka një masë sigurie në një kohë që ai ka kryer krime nga më monstruozet në Tiranë”, u shpreh ndër të tjera nënkryetari i demokratëve Edi Paloka.
Akuzat e SPAK-ut, Berisha e konsideron “arrestim politik”
Si ish-kryeministri Sali Berisha, po ashtu edhe avokatët e tij dhe Partia Demokratike e kanë konsideruar vendimin e GJKKO-së, si të diktuar nga kryeministri Edi Rama për të goditur opozitën dhe për t’i mbyllur gojën kreut të saj.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Ndërsa, për Jamarbër Malltezin dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, SPAK-u deklaron se ata kanë përfituar shuma të mëdha financiare nga tjetërsimi i truallit në ndërtime të larta. Mbi këta dy të fundit rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
INTERVISTA E PLOTE ME EDI PALOKEN