Berisha: Mirlinda e AKSHI-t me dy vila në Palasë e një në Qerret dhe apartamente në Tiranë. A do hetohet...?
Sali Berisha ka folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partia Demokratike, ku vëmendja kryesore ishte rritja e çmimeve dhe situata ekonomike në vend.
Sipas tij, problemi më i madh për qytetarët dhe ekonominë janë oligopolet, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e produkteve bazë.
Ai përmendi jo vetëm tregun e karburanteve, por edhe ushqimet si buka, sheqeri dhe mishi, duke i cilësuar si tregje ku mungon konkurrenca reale.
Në këtë situatë, qytetarët përballen me çmime të larta, ndërsa institucionet që duhet t’i mbrojnë nuk funksionojnë siç duhet.
Berisha foli edhe për nivelin e taksave, sidomos për karburantet, duke krahasuar çmimin në Shqipëri me atë në vende të tjera si Shtetet e Bashkuara.
Ai e lidhi çmimin e lartë me barrën fiskale dhe propozoi modelin e taksës së ulët 10%.
Në fjalën e tij pati edhe akuza ndaj qeverisë së Edi Ramës, për lidhje me bizneset e mëdha dhe mungesë veprimi ndaj abuzimeve në treg.
Ai përmendi edhe çështje që lidhen me institucionet dhe funksionimin e shtetit ligjor, duke ngritur shqetësime për korrupsionin dhe procesin e integrimit europian.
Në fund, Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar më 17 prill dhe kërkoi angazhim më të madh për anëtarësime të reja në parti, duke e konsideruar këtë si të domosdoshme për forcimin e opozitës.
FJALA E PLOTË E KRYEDEMOKRATIT:

Sot, problemi më madhor i ekonomisë së tregut dhe qytetarëve shqiptarë, janë oligopolet. Gjatë këtyre javëve, me të drejtë, jemi ndalur tek oligopoli i hidrokarbureve, i naftës. Por, në tregun shqiptar nuk është ky i vetmi oligopol.
Oligopol në tregun shqiptar është edhe kafshata. Oligopol është sheqeri. Është mishi. Oligopolet pra janë mamuthët e tregut. Nuk janë fenomen shqiptar, ose nuk janë vetëm shqiptar. Jo. Janë pothuaj pantotenikë. Duhet pranuar.
Por ndaj oligopoleve, shteti ligjor i garanton mbrojtje qytetarit nga abuzimi potencial i marrëveshjeve të fshehta midis anëtarëve të oligopoleve. Në qoftë se ju merrni sot tregun e hidrokarbureve, janë disa kompani të licencuara.
Në qoftë se merrni tregun e mishit, janë disa kompani të licencuara. Në qoftë se merrni tregun e sheqerit, janë disa kompani të licencuara. Por, këto licenca a shërbejnë këto për të rregulluar tregun apo në marrëveshje të fshehtë
asgjësojnë konkurrencën? Vetëkuptohet, oligopoli është një dukuri e ndërmjetme midis konkurrencës së ndershme dhe monopoleve. Oligopolet në Shqipëri nga një analizë arrijnë një veprimtari antitreg, antiqytetar.
Kjo sepse peshojnë në kandar dhe blejnë me lecka nga Edi Rama e poshtë. Shqipëria ka ligje, dhe ligje të mira, të cilat, të zbatuara, mbrojnë qytetarët nga oligopoli. Ndaj dhe një nga drejtimet e punës tonë dhe përpjekjet tona, do të jetë mbrojtja e qytetarëve nga oligopolet. Absolutisht ne nuk jemi kundër bizneseve, kurrë, ne jemi partia më pro-biznes.
Në mënyrë të përsëritur, ne kemi denoncuar taksat katastrofike mbi litrin e naftës. Po.
Më të lartat, mund të jenë më të lartat në botë, në Europë po, kur një litër në SHBA shitet me 1 dollarë, kurse këtu taksa është 1.1 dollarë, kjo tejkalon çdo lloj logjike ekonomike dhe pa diskutim është një bazë për çmimin në këtë shkallë.
Dhe ne, kudo që do të gjejmë abuzim me taksat, le që ne e kemi modelin taksë e ulët 10 përqind, por ne do studiojmë kudo që janë, veçse detyrimi ynë është të identifikojmë institucionet e korruptuara, të cilat i kanë futur në xhep oligopolet.
Se ka një ligj për mbrojtjen e konsumatorit, se ka një zinxhir institucionesh për mbrojtjen e konsumatorit, se që të gjithë si të droguar, nuk pyesin njëherë për konsumatorin.
Imagjinoni ju, personi që drejton antikonkurrencën ishte një nga hajdutët më të papërmbajtur në krye të prokurimeve, Denar Biba. Imagjinoni ju kush merret me këtë. Dhe qytetarët robtohen, vidhen, rripen nga kafshata në çdo gjë tjetër.
Oligopolet Doshi-Nushi janë më të këqij se sëmundjet për të sëmurët shqiptarë me çmimet, me të skaduarat, me të gjitha.
Pra, është në detyrimin tonë të përgatisim kuadrin më të mirë, alternativën më të mirë kundër veprimtarisë shkatërrimtare mbi ekonominë e qytetarëve të oligopoleve. Të ndalemi në çdo hallkë, të kalojmë në sitë të gjitha faktorët që ndikojnë në këto çmime të tmerrshme. Pse rriten çmimet në Shqipëri si në asnjë vend tjetër?
Pse Shqipëria, me fuqinë blerëse më të ulët në rajon, ka çmime mesatare më të larta se BE? Është në detyrimin madhor të PD të ndërmarrë një luftë frontale në mbrojtjen më të vendosur të interesave të qytetarëve.
Çfarë ndodh me ligjet ekzistuese? Janë ligje shumë të mira. Në qoftë se zbatohen, nuk mundet që çmimet të shkojnë lart e më lart. Të shkojnë më lart se vendet me fuqi blerëse 5 herë më të madhe se ne.
Ndaj dhe aktualisht problem madhor është nafta, se është i mprehtë, por duhet të jemi të vërtetë, po kaq problem është kafshata. Sheqeri, orizi, mishi, të gjitha këto janë oligopole. Dhe mund të ketë edhe të tjera, një seri të tjerash.
Edhe njëherë, nuk janë fenomen vetëm shqiptar, jo. Por për të mbrojtur konsumatorët, çdo shtet ka ligje dhe institucione, të cilat bizneseve u garantojnë veprimtari normale, u garantojnë fitimin, por nga ana tjetër mbrojnë konsumatorin.
Ndërkohë ju e dëgjuat se Edi Rama sillet nga Linda tek Belinda, nga Belinda tek Linda. Kjo është e vërteta.
Tani, ky dëshmitar i rremë u tha shqiptarëve se Mirlinda e AKSHI-t, e gjora që na banonte në një shtëpi me qira. Kaq e gjorë ishte.
Dëshmi absolute të besueshme të njerëzve bashkëpunëtorëve më të ngushtë të saj, të atij që e ka marrë shofer dhe e ka bërë zëvendësdrejtor të përgjithshëm, del se zonja ka dy vila në Palasë dhe një vilë në Qerret dhe apartamente në Tiranë.
Çështja shtrohet, a thirret në SKAP ky dëshmitar i rremë që mashtron shqiptarët dhe u thotë se ajo është kaq e varfër sa banon me qira? Natyrisht ai nuk pranon të shkojë, por shqiptarët duhet ta dinë.
Dhe tani pse Edi Rama detyrohet të bëhet dëshmitar i rremë i pasurive të Mirlindës? Një njeri mizogjen dhe brutal, çfarë e shtyn atë të bëhet avokat i Mirlindës? Atë e shtyn fakti se Linda e vërtetë e AKSHI-t është Linda e Surrelit.
Këtu është i gjithë problemi. Kjo është absolutisht e vërteta. Se Mirlinda e AKSHI-t ka qenë thjesht një zbatuese për arsye se AKSHI-n, de facto e ka drejtuar Linda e Surrelit, Ergys Agasi dhe baxhanaku i Edi Ramës, Frangu.
Pra, rezulton se edhe kjo mbrojtje që i bën Edi Rama, Mirlindës së AKSHI-t, është për interesa strikt familjare.
Dhe kemi të bëjmë me një përpjekje tjetër për të groposur një çështje, e cila jo në përmasa financiare, por në përmasa tërësore, financiare, ligjore, mafioze, tejkalon çdo aferë tjetër të këtij vendi dhe ndonjë vendi tjetër.
Megjithatë, deri tani, dosja është turshi. Ergys Agasi është i lirë. Qytetari dixhital thotë se shkon edhe në Surrel. Pra, kurrë ndonjëherë vendi nuk ka qenë në një paralizë si sot. Shteti ligjor është i asgjësuar. Ëndrra evropiane e shqiptarëve është e hedhur në Lanë.
Edhe njëherë, përfaqësues të BE kanë sqaruar se nuk është votuar IBAR për Shqipërinë dhe ata, të cilët duan të paraqesin Shqipërinë sikur është votuar, ata nuk kanë respektin më minimal për veten e tyre. Mashtrojnë shqiptarët. Jo, nuk është votuar.
Dhe nuk mund të votohet duke u bërë mburojë e korrupsionit, duke asgjësuar sistemin e drejtësisë. Çfarë është kapitulli 23-24? Janë funksionimi i drejtësisë dhe shtetit ligjor. Po janë kapitujt kryesorë këta, janë shinat më themelore dhe vlerësime në këto kapituj mbeti në klasë. Dhe Edi Rama në këto kapituj mbeti në klasë.
Përpiqet Edi Rama ta mbulojë, i cili është varrmihësi i shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit. Edhe njëherë, u bëj thirrje shqiptarëve, me datën 17 të gjithë në protestë, në kryengritjen paqësore si zëri i vetëm në Shqipëri.
Në Shqipëri ka mbetur vetëm zëri i qytetarëve për t’i dalë zot vetes. Ndërkohë do ta mbyll me dy kërkesa të tjera për ju zotërinj deputetë. Në të gjitha degët e vendit po zhvillohen zgjedhjet.
Janë zhvilluar dhe kanë ecur me një normalitet në tërësinë e tyre, por detyrë më e rëndësishme sot janë anëtarësimet e reja.
Unë bëra edhe dje një mbledhje me drejtuesit politikë dhe koordinatorët, por secili prej jush është i ftuar të kontribuojë në mënyrën më serioze që mund të kontribuojë në anëtarësime të reja. Është jetike për PD-në ky proces.
Mos harroni që ne kemi një problem madhor, spastrimin etnik për shkak të politikave të Edi Ramës, largimin e njerëzve nga Shqipëria. Ndaj dhe duhet ta përparësoni, duhet të kontribuoni me të gjithë mundësitë tuaja për anëtarësime të reja.
Duhet ta vlerësojmë në shkallë maksimale. Është kushti i të gjitha kushteve që kjo forcë politike të rezistojë e pamposhtur ndaj kësaj diktature autoritare të bazuar në drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Është gjithashtu një tregues në vlerësimin e punës së gjithsecilit. Duhet ta marrim në mënyrën më serioze.




