Berisha: Rama po blen vota!
Të hënën, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po shkel hapur Kodin Zgjedhor. Me ndërhyrjen në rroga e ofrimin e shpërblimeve, tha ai, kreu i qeverisë po blen vota. Në një bashkëbisedim me qytetarët të hënën Berisha ftoi emigrantët që në 14 maj të vijnë në Shqipëri e të votojnë ndryshimin.
Në një bashkëbisedim virtual me qytetarët, Sali Berisha akuzoi për shkelje të rënda të Kodit Zgjedhor kryeministrin Edi Rama.
Tha se me ndërhyrjet në rroga e ofrimin e shpërblimeve kreu i qeverisë po tenton të blejë vota.
"Edi Rama po dhunon çdo parim të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta por ju garantoj se fatura në fund do ti shkojë atij dhe vetëm atij.Qindra e qindra milionë euro për të blerë votat."
Punonjësit e administratës që shkelin ligjin në kohë fushate i cilësoi rrezik kombëtar e militantë të verbër. Për ta paralajmëroi penalitete.
"Çdo punonjës i administratës publike që shkel ligjin me fushatën do të dalë jashtë administrate për krim elektoral."
Emigrantët e kanë të pamundur votën nga ku jetojnë ndaj i ftoi që në 14 maj të vijnë në Shqipëri e të sjellin ndryshimin.
"Të bëjnë çdo përpjekje për të qenë me 14 maj në Shqipëri dhe për të votuar për vendosjen e pluralizmit."
Përveç Belind Këlliçit, kandidatët e tjerë për Bashkinë e Tiranës i cilësoi si paterica të kryeministrit Rama.
"Çdo kandidat tjetër në Tiranë përveç Belind Këlliçit që është kandidati i opozitës së bashkuar, është kandidat i Edi Ramës."
Me kundërshtarin politik përtej akuzave të rënda që hedhin në adresë të njëri-tjetrit duket se i bashkon pasioni i ri i të dyve, ai për pod castet.
Berisha hedh hapin i pari dhe e fton në debat.
"Pod casti qëndron por ai nuk vjen kurrë, ka frikë. Ka frikë nga vetja e tij".