14 maji, Berisha gati me Metën: Të martën zhvillime të rëndësishme për koalicionin opozitar
Pasi KQZ rrëzoi ankimimin e kryer nga Sali Berisha për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit me logon e partisë Demokratike, koalicioni duket se është zgjidhja e vetme e mbetur në tryezën e demokratëve.
Sali Berisha, nga sa seli blu paralajmëroi se të martën do të ketë edhe zhvillime të rëndësishme në këtë drejtim.
Berisha: Ky koalicion do njohë zhvillime të tjera të reja dhe do komunikohen nesër zhvillimet e reja të këtij koalicioni. Ne jemi të bindur se koalicioni është tmerri i Edi Ramës. Edi Rama është i tmerruar nga këto zgjedhje. Ai urdhëroi gjykatës të pamoral, pa ndërgjegje profesionale dhe njerëzore, të shkelmojnë ligjet. Ai, me pengjet e tij, po degradon çdo institucion të këtij shteti.
Ndërkohë më herët në zyrën e tij, ishte kreu i partisë së Lirisë, i cili deklaroi se u diskutua pikërisht për bashkëpunimin elektoral si edhe besimin për sukses të opozitës më 14 maj.
Meta: Jemi në prag të fushatës dhe këto takime janë normale në kuadër të aleancës tonë për ndryshim. Në 15 maj shumica e kryebashkiakëve do t’i takojnë opozitës dhe po ashtu shumica e këshillave bashkiakë.
Për Sali Berishën, Ed Rama është i tmerruar nga koalicioni tij me Metën dhe sipas tij po bënë gjithçka për të futur në zgjedhje me pa të drejtë me logon dhe vulën e demokratëve, grupimin që ai e cilëson si Alibasha.
"Këto vijnë nga tmerri që ai ka nga vota e lirë. Ai e ndjen se është i humbur, ai e ndjen se ka shpërthyer një urrejtje popullore ndaj tij, që nuk ka të krahasuar, përveç urrejtjes ndaj Enver Hoxhës", deklaroi Berisha.