Berisha kërkesë për komision hetimor për çështjen “McGonigal”, Çuçi: Nuk ka objekt të plotë hetimi

Berisha kërkesë për komision hetimor për

Deputeti i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi sot në Kuvend se kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen “McGonigal” duhet rrëzuar pasi nuk ka një objekt të plotë hetimi.

Gjatë diskutimeve në Kuvend mbi kërkesën e PD-së për ngritjen e Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal, Çuçi u shpreh se në këtë kërkesë nuk ka asnjë objekt alternativ të propozuar hetimi dhe nuk ka identifikim të një fushe tjetër hetimore brena të njëjtës tematikë.

“Ashtu si e thotë edhe jurisprudenca Kushtetuese nuk kemi një formulim alternativ. Ndërtimi formal i objektit nuk mjafton për të justifikuar thirrjen një komisioni hetimor, pasi nuk përmbush kriteret ligjore të parashikuara në ligjin për komisionet hetimore”, tha Çuçi.

Duke cituar ligjin, Çuçi theksoi se komisionet hetimore ngrihen vetëm nëse ekzistojnë të dhëna konkrete apo indicie të mjaftueshme që krijojnë dyshime të arsyeshme për shkeljen e ligjit nga organet e administratës shtetërore, subjektet publike ose zyrtarët shtetëror.

Ndërkohë Çuçi theksoi se në objektin e hetimit të paraqitur nuk provohet ekzistenca e ndonjë vendimmarrje apo ndonjë akti shtetëror të manipuluar në funksion të ndonjë marrëdhënie me McGonigal.

Po ashtu ai përmendi mungesën e kompetencës dhe juridiksionit të Kuvendit në lidhje me McGonigal. “Kushtetuta e përcakton qartë se komisionet hetimore janë instrumente kontrolli mbi institucionet shqiptare dhe zbatimin e ligjeve brenda territorit të vendit. Kjo çështje ka ndodhur dhe është gjykuar në SHBA”, tha Çuçi.

Çuçi hodhi poshtë të gjitha pikat e paraqitura nga PD për ngritjen e këtij komisioni hetimor dhe kërkoi që Kuvendi ta rrëzojë këtë kërkesë.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se po shkelet Kushtetuta duke bllokuar çdo hetim që kërkohet për Ramën.

“Ne e kërkojmë këtë komision se në dosjen e gjykatës citohet emri i Edi Ramës 13 herë. Ne nuk ndalemi, ju po shkelni Kushtetutën e vendit. Ju bllokoni çdo hetim që kërkohet për Edi Ramën”, tha ai.

Duke iu referuar gjyqit ndaj McGonigal në SHBA, Berisha tha se “u evidentua se ai që duhej të siguronte vendin e tij nga korrupsioni, korruptohet nga vendi më i vogël më i parëndësishëm i NATO-s, nga Shqipëria”.

“Grupi parlamentar i PD-së ka kërkuar në mënyrë të përsëritur këtë komision hetimor për njërin prej skandaleve ndërkombëtare më të mëdha të kohës. Skandal ndërkombëtar që bashkon në një kryezbuluesin e FBI të SHBA, Charles McGonigal, kreun e ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, ministra të tij, zyrtarë, gjykatës, prokurorë dhe dimensionet e këtij skandali janë ende të papërcaktuara”, tha Berisha.

Sipas tij, “hetimi parlamentar është i një rëndësie të jashtëzakonshme në Shqipëri”. 

EMISIONET