Berisha: Ekipi i McGonigal, Duçka-Neza që mbrohen nga Rama, i kërkoi miliona euro Ylli Nroqit

Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot një një konferencë për shtyp se ekipi i McGonigal e Dorian Duçka e Agron Neza u kanë kërkuar biznesmenit dhe drejtuesit të RTV Ora Ylli Ndroqi miliona euro për ta hequr nga lista e zezë për të cilin z. Ndroqi ka bërë dhe një kallëzim.

Sali Berisha: Në takimin tonë para një jave, unë ju informova ju se ekipi i famëziut McGonigal, tradhtarit të kombit amerikan, mafiozët Dorian Duçka dhe Agron Neza, kalonin nga një lokal në tjetër, nga një hotel në tjetër, duke bërë gjahun e biznesmenëve për t’u zhvatur atyre miliona euro.

Njëri nga këta biznesmenë, të cilit i kanë kërkuar në maj të vitit 2022, miliona për ta hequr nga lista e zezë, është sipërmarrësi i njohur, është drejtuesi i rrjetit televiziv, Ora News, Ylli Ndroqi.

Dorian Duçka dhe Agron Neza, këta mafiozë kriminelë dhe të pafytyrë, jo vetëm i kanë kërkuar këtij sipërmarrësi gjobën, por refuzimi i tij në prani të dëshmitarëve, t’ua paguajë atë, është shoqëruar me kërcënime të mëvonshme nga ana e këtyre dy mafiozëve.

Unë e përgëzoj zotin Ylli Ndroqi për qëndrimin që ai ka mbajtur. Këtë denoncim ai e ka bërë edhe zyrtarisht pranë autoriteteve amerikane.

Por, Ylli Ndroqi dhe jo vetëm ai, janë dëshmitarë të skenave të shëmtuara që këta çakenj, kërcënonin biznesmenët e tjerë, natyrisht edhe në praninë e Taulant Ballës.
Mbrojtja që Edi Rama i bën Dorian Duçkës dhe Agron Nezës është mbrojtje që i bën vetes së tij. Kjo skemë është e bekuar dhe e përdorur edhe për interesat e Edi Ramës.

Unë e përgëzoj Ylli Ndroqin për qëndrimin e tij të guximshëm dhe burrëror ndaj këtyre mafiozëve, por e përgëzoj edhe për vendimin që mori, pasi unë natyrisht pa autorizimin e tij publik, nuk e bëja, për ta bërë publike këtë ngjarje të shëmtuar në restorantin Padam.

SKAP-i i partisë fut kokën nën jorgan. Nuk ka qëndrime më të turpshme se këto.
Gjobëvnës që qarkullojnë me lejen dhe autorizimin e kryeministrit. Për SKAP-in, asgjë nuk ka ndodhur.

E vërteta është se historia e gjobave nuk është vetëm veprim i McGonigal dhe famëzinjve të tij, Duçka dhe Neza. Historia e gjobave është më e gjerë.
Siç denoncoi haptaz dhe me guxim ish-deputeti Myslim Murrizi, pas vitit 2019 flitej për lista me të blacklistuar dhe përgojoheshin emra.

Gabriel Escobar, Yuri Kim, Lulzim Basha, Edi Rama. Kjo është e vërteta e pamohueshme. Ky realitet jo vetëm që nuk u përgënjeshtruar nga Yuri Kim, por ajo thërriste biznesmenë dhe i kërcënonte në ambasadë me blacklistim nëse mbështesin Sali Berishën.

Një lukuni e tërë u lëshua mbi biznesmenët shqiptarë për t’i gjobitur ata në mënyrën më antinjerëzore. Vizat, i përdori në këtë funksion Yuri Kim.
Edhe njëherë i bëj thirrje Inspektorit të Përgjithshëm të DASH, të hetojë veprimtarinë e saj dhe të personave që janë marrë me vizat.

I bëj thirrje FBI-së të hetojë në çdo detaj dosjen shqiptare.

I bëj thirrje Kongresit të SHBA, të hetojë në mënyrë të veçantë dosjen shqiptare të kësaj afere, implikimet e padiskutueshme, terrenin në funksion të kësaj gjobëvënie të shpifur, të turpshme.

Sepse në këtë mënyrë do të mund të merren të gjitha masat, do mund të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit.

Nëse Agron Neza dhe Dorian Duçka gjobitën një seri biznesmenësh, atë e bënë në emër të FBI-së.
Ne do kontribojmë, do përpiqemi. Komisioni hetimor do krijohet do apo nuk do Edi Rama.

EMISIONET