Berisha: Chris LaCivita, kreu i komitetit kombëtar të Republikanëve të Trump, nuk e zgjodhi PD-në rastësisht
Në takimin e thirrur në selinë blu, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vlerësoi vizitën dhe deklaratat e djeshme të numri 1 të fushatës së fitores së Presidentit amerikan Donald Trump, Chris LaCivita.
Fjala e Berishës
Mirëdita, së pari unë dua të shpreh mirënjohjen më të pakufishme para atyre mijëra e mijëra qytetarëve shqiptarë në emigracion që mbushën sallën e atij takimi, ndër më entuziastit dhe më mbresëlënësit që kam pasur ndonjëherë.
Ai takim ishte diamanti i fillimit të fushatës elektorale. Ishte dëshmia më e sigurt e fitores së ardhshme të PD. Ai takim aq entuziast u dëshmoi shqiptarëve, por edhe italianëve dhe të gjitha kombeve të tjera se emigracioni dhe diaspora e Shqipërisë është me PD-në, është me Sali Berishën.
Ndaj dhe vetëkuptohet frikëra dhe tmerret e pseudomazhorancës socialiste nga vota e diasporës dhe përpjekjet për ta penguar. Pra, unë dhe njëherë shpreh mirënjohjen më të pakufishme ndaj të gjithë atyre që e organizuan, degës së PD të Romës, drejtuesit të kësaj dege dhe të gjithë qytetarëve që u mblodhën në atë takim.
Një mirënjohje të veçantë kam unë për kryetarin e grupit parlamentar të Forza Italia, Paolo Bareli. Për kryetarin e grupit në senat të Forza Italia, Gaspari. Për deputeten Erika Maseti, mikun tim, deputetin Batilokio, të cilët në një ditë të dielë u shkëputën nga familjet e tyre, nga detyrat e tyre dhe erdhën në një takim shumë miqësor, ku diskutuam për bashkëpunimin tonë të ardhshëm me Forza Italia.
Tani, dje siç theksova, ishte një ditë ndër më të veçantat në 34 vite. Ishte ditë unike. Në Tiranë zbarkoi bashkëkryetari i menaxhimit të fushatës më të rëndësishme elektorale pas Luftës së Dytë Botërore të SHBA dhe planetit.
Ishte bashkëarkitekti i asaj fushate që përballoi makineritë më gjigante të miliarda e miliarda dollarëve, të medieve kryesore të SHBA dhe të botës, të sondazheve të manipuluara në SHBA dhe në botë, dhe siguroi rikthimin më të rëndësishëm, më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm me votën e lirë në tërë historinë e njerëzimit, ishte zoti Chris LaCivita.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se Chris LaCivita në kërkesën planetare që ekziston, në qindra kërkesa nga i gjithë planeti, që ekzistojnë për të bashkëpunuar me të, ai fisnikërisht zgjodhi Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Zgjodhi PD-në jo rastësisht. Ai personi, të cilin Edi Rama e quajti punëtor i Donald Trump sikur të ishte kopshtar apo lulishtar në Mar-A-Lago është njëkohësisht kryetar i komitetit kombëtar të Partisë Republikane të Donald Trump.
Dhe ai foli aty në cilësinë e bashkëkryetarit të menaxhimit të fushatës më të suksesshme në histori, por foli edhe në cilësinë e kryetarit të Komitetit Kombëtar Republikan.
Për kryetarin e Komitetit Kombëtar Republikan dhe Partinë Republikane që ai përfaqëson, Edi Rama është një kukull e Xhorxh Sorosit.
Dhe ai, që ta kemi shumë të qartë, erdhi këtu për të vazhduar betejën që fitoi në SHBA, kundër Sorosit dhe ekstremit të majtë të tij. Pra, ishte një akt kryekëput politik pasi i prenë kokën gjarprit në Uashington, duhet t’ia presin tentakulat kudo, dhe në Shqipëri ato ishin dhe janë më të zhvilluara se në asnjë vend tjetër.
Ju jeni dëshmitarë të ngjashmërive, të sjelljes së administratës së SHBA që shkoi dhe Xhorxh Sorosit ndaj presidentit Donald Trump dhe sjelljes së tyre ndaj Sali Berishës.
Ju jeni dëshmitarë të vendimeve për të mos regjistruar emrin e tij në listë dhe mosregjistrimin e Sali Berishës në listat e zgjedhësve.
Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve për eliminimin fizik të Donald Trump, por të njëjta edhe për Sali Berishën në prag të aktivitetit.
Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve për burgosjen e tij dhe burgosjen e Sali Berishës po nga falangat e Xhorxh Sorosit dhe kukulla e tij Edi Rama në Shqipëri.
Këto janë të vërteta të cilat e sollën në Shqipëri këtë
kryetarin e komitetit kombëtar të Partisë Republikane, Chris LaCivita.
Mesazhet e tij janë shumë të thella dhe duhet të kuptohen nga çdo shqiptar.
Presidenti Donald Trump u tha amerikanëve se më i rrezikshëm nga të gjithë për SHBA është armiku i brendshëm. Dhe kjo është e vërtetë e madhe.
Nuk ka vend tjetër në botë që të ketë fuqinë, teknologjinë, forcën e pakufishme të SHBA. E megjithatë, në këtë vend, nga ekstremi i majtë, nga marksistët dhe post marksistët sorosianë, demokracia u kërcënua njëlloj si në një vend të botës së tretë.
Në qoftë se përdorën gjykatat për të përjashtuar nga procesi zgjedhor kandidatin kryesor të partisë kryesore.
Në qoftë se aplikohen gjoba gjysmë miliardë dollarë.
Në qoftë se lëshohen urdhra për t’i mbyllur gojën, këto nuk ndodhin kurrë në një demokraci pa probleme.
Në qoftë se promovohet censura, një gjë do u them, çdo hap drejt censurës është hap drejt diktaturës. Ndaj dhe Donald Trump me shumë të drejtë tha, se armiku më i rrezikshëm për Amerikën është armiku i brendshëm.
Në këtë kontekst duhet të kuptojmë qartë dimensionin e deklaratës së kryetarit të komitetit kombëtar republikan, Chris LaCivita, të cilin Rama e quajti punonjës i Donald Trump, ka domethënien më të madhe politike.
Është një thirrje, është një apel për shqiptarët të çlirohemi me ndihmën e SHBA, nga Xhorxh Sorosi, ideologjia dhe i gjithë ndikimi që de facto u krijua në Shqipëri republikën e Xhorxh Sorosit.
Qytetari i thjeshtë shqiptar e ka të vështirë të besoj që Edi Rama solli në parlament, bazuar në doktrinën e Sorosit, ligjin për krijimin e fermave të grave që të lindin fëmijët e askujt se duhet të krijoheshin fëmije më prindër 1 dhe 2 dhe pa prindër fare për të shuar familjen dhe vlerat hyjnore njerëzore të saj.
E kanë të vështirë se në Tiranë, njëlloj si në Nju Jork filluan të numerotohen prindërit që në kopsht dhe mijëra familje amerikane u shpërngulën nga Nju Jorku për në Teksas ku nuk lejoheshin praktika të tilla antifamiljare.
Pra, miqtë tanë e kanë të qartë se çfarë ndodhi. E kanë të qartë se kush është Leticia Jones, Alex Brag të Shqipërisë që angazhohen për shkatërrimin e pluralizmit në një akt kriminal antikushtetues të paimagjinueshëm.
Ndaj dhe shpreh mirënjohjen më të madhe kryetarit të komitetit kombëtar të Partisë Republikane për vendimin e tij për të shprehur demokratët dhe konservatorët në Shqipëri, në shpëtimin e Shqipërisë nga stihia e ekstremit të majtë dhe Xhorxh Sorosit në këtë vend.
VIDEO – KONFERENCA E PLOTË E KRYEDEMOKRATIT SALI BERISHA