DETAJET/ Kallëzimi që shkaktoi “tërmet”! Nesti Angoni: Veliaj “i mori” shtëpinë Gent Sulës, të shoqen ia bëri zv. ministre. 3 vila në Qerret, njërën e rrafshoi me mjetet e Bashkisë Kavajë
Lidhur me verifikimin e kallëzimit dhe referimin e veprës penale, më datë 19.07.2023 është administruar në Prokurorinë e Posaçme një informacion i cili është protokolluar me nr. K536, dërguar nga një shtetas i vetë-identifikuar si Nesti Angoni, me adresë në Rr. “5 Maji”, Nr. 71, Tiranë.
Në informacionin e përcjellë fillimisht nga shtetasi i vetë-identifikuar si Nesti Angoni, përmenden disa fakte rreth shtetasit Erion Veliaj, me detyrë kryetar i bashkisë Tiranë, të cilat çmohen si kompromentuese për një zyrtar publik.
Këto fakte, lidhen me funksionin e kryetarit të bashkisë si edhe marrëdhënien e këtij të fundit me shtetasin Genti Sula, pronar i shoqërisë tregtare “AGI CONS”.
Sipas kallëzuesit, në kohën që shtetasi Erion Veliaj u emërua Ministër i Punës, bleu një pasuri të paluatshme-banesë, të ndodhur në bllokun rezidencial “Kodra e Diellit”, në pronësi të shtetasit Genti Sula.
Pas kësaj, bashkëshortja e këtij të fundit u emërua zv. Ministre tek Ministria ku shtetasi Erion Veliaj ishte titullar.
Më pas, banesa në fjalë është shtuar me një kat dhe për të është ndërtuar një ashensor i veçantë.
Gjithashtu, në këtë kallëzim shpjegohet se që prej asaj kohe marrëdhënia e këtyre dy shtetasve është e pandarë.
Shoqëria “AGI KONS”, me pronar shtetasin Genti Sula përfshihet edhe për Teatrin Kombëtar.
Gjithashtu, në informacion përmendet se shtetasi Erion Veliaj aktualisht posedon 3 vila në fshatin Rezidencial në Qerret Kavajë, të ndërtuar nga shoqëria “Agi Kons” e shtetasit Genti Sula.
Një nga këto vila posedohet nga vëllai i shtetasit Erion Veliaj, ndërsa të tretën ky i fundit e ka shembur, ndërkohë që të dyja vilat ekzistuese i ka rikonstruktuar.
Vlera e vilave, sipas kallëzuesit kap shifrën e rreth 500 mijë Eurove.
Ndërsa vilën e tretë, kallëzuesi shpjegon se shtetasi Erion Veliaj e ka rrafshuar, duke shpërdoruar 500.000 Euro me qëllim krijimin e hapësirave shtesë.
Për prishjen e objektit janë shfrytëzuar makineritë e Ujësjellësit Kavajë.
Në këtë pikë, kallëzuesi shtron pyetjen nëse për këtë shembje është marrë më parë një leje apo ekziston ndonjë faturë që dokumenton shpenzimet e bëra.
Të gjitha këto, vijon kallëzuesi, të shtyjnë të mendosh se ku i gjeti shtetasi Erion Velaj mundësitë financiare dhe nëse ekzistojnë dokumente të blerjeve, pagesa bankare etj.
Me administrimin e kallëzimit pranë Prokurorisë së Posaçme, nga ana e Hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë kryer disa verifikime paraprake, të cilat konsistojnë fillimisht në sigurimin e të dhënave për kallëzuesin, shtetasin e identifikuar si Nesti Angoni. Nga rezultatet konstatohet se nuk ekzistojnë të dhëna për këtë shtetas.