Beleri në burg, tensione në këshillin e Himarës, policia "rrethon" godinën! Të pranishëm ambasadorja greke dhe Vangjel Dule
Është shoqëruar me tensione mbledhja e këshillit bashkiak të Himarës. Ditën e sotme bëhet konstituimi i këshillit teksa Fredi Beleri, i cili fitoi më 14 maj dhe që ndodhet në burg për shitblerje votash, nuk u lejua që të merrte pjesë në betim.
Të pranishëm në mbledhje janë edhe ambasadorja greke si dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule.
Raportohet se mbështetës të Fredi Belerit kërkojnë që të dalin jashtë punonjësit aktualë të bashkisë dhe të qëndrojnë brenda vetëm ata, në një kohë kur kryetari i ri i bashkisë ndodhet pas hekurave.
Nje dite me pare Gjyqtarja e GJKKO-së, Talanta Zeqiraj rrëzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, për autorizim të veçantë, në mënyrë që ai të linte ambientet e spitalit të burgut, për t’u paraqitur në mbledhjen e kërkuar nga anëtarët e këshillit bashkiak.
Anëtarët e këshillit përmes një shkrese njoftuan Fredi Belerin për përmbajtjen e mbledhjes, ku parashikohet konstituimi i këshilli bashkiak, Himarë dhe ceremonia për marrjen e detyrës si kryebashkiak.
Ai kërkoi në gjykatën antikorrupsion që të ishte i pranishëm, por kërkesa e tij u rrëzua.
GJKKO arsyetoi se nuk plotësohen kushtet për miratimin e kërkesës, ndërsa avokatët u shprehën se do ta përsërisin kërkesën.
Policia e Shtetit arrestoi mesnatën e 12 majit Fredi Belerin, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Himarës nën akuzën për blerje votash. Fredi Beleri u shpall fitues në zgjedhjet vendore të 14 majit.