Anëtari i katërt në grupet e numërimit të votave, Kolegji Zgjedhor: KAS të vendosë nesër për kërkesën e PL
Kolegji Zgjedhor ka pranuar pjesërisht kërkesën e Partisë së Lirisë, e cila kërkon të mos e ndajë anëtarin e katërt në grupet e numërimit të votave me PDIU-në.
Partia e Lirisë kërkon rrëzimin e vendimit të KAS, në mënyrë që anëtari i katër i grupit të numërimit të votave të jetë vetëm i Partisë së tyre.
Kolegji me vendimin e sotëm ngarkon KAS që të marrë vendim brenda ditës së nesërme lidhur me Kërkesën Ankimore Nr.53 Dt.27.04.2023, depozituar nga subjekti zgjedhor “Partia e Lirisë”.
Sipas ligjit, nga 4 anëtarë, 2 numërues i përkasin PS-së dhe 1 PD-së.
Ndërkohë, sipas shortit të hedhur në KQZ, koalicioni Meta-Berisha do të ketë numërues të votave për zgjedhjet e 14 majit vetëm në tavolinat e numërimit me numër tek në të gjitha KZAZ-të e vendit.
Ndërsa, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet në tavolinat me numër çift.
Njoftimi
Sot, më datë 09.05.2023, ora 13:30, trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, i përbërë nga gjyqtarët:
1. Sokol Ibi (Relator);
2. Edlira Petri (Anëtare);
3. Alma Kolgjoka (Anëtare);
4. Manjola Xhaxho (Anëtare);
5. Blerona Hasa (Anëtare);
në seancë gjyqësore të zhvilluar në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, salla e konferencave të KLGJ-së, në adresën: Rruga “Ana Komnena”, Tiranë, pasi shqyrtoi ҫështjen Nr.17 Regj.Themeltar, Datë 06.05.2023 Regjistrimi, me:
PADITËSE: Partia e Lirisë, përfaqësuar nga Altin Kaziaj.
I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – KQZ.
PERSON I INTERESUAR: Partia PDIU, përfaqësuar nga Shkëlqim Sulo dhe Klardi Xhemali.
OBJEKTI: Ndryshimin e Vendimit nr.71, datë 02.05.2023, të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur:
Caktimin e Partia e Lirisë si parti politike që i lind e drejta e propozimit për anëtarin e katërt të grupeve të numërimit të votave, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023.
BAZA LIGJORE: Neni 6, paragrafi 1 i KEDNJ, Nenet 4, pika 1, Nenet 9, Neni 45, Neni 46 e vijues të Kushtetutës së Shqipërisë, Nenet 63, 64, 65, 98, 139, 145 e vijues i Kodit Zgjedhor të RSH.
Për dijeni, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), me Vendimin nr.71, datë 02.05.2023, objekt i kërkesëpadisë së mësipërme, ka vendosur:
“1. Rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 53, datë 27.04.2023 të depozituar nga “Partia e Lirisë”, për shkak të mungesës së numrit të kërkuar të anëtarëve për vendimarrje.
2. Ky vendim hyn në fuqi menjeherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Administrativ brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij”.
me Vendimin Nr.17, datë 09.05.2023, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, me shumicë votash,
VENDOSI
1. Pranimin pjesërisht të padisë.
2. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Vendimit Nr.71 Dt.02.05.2023 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).
3. Detyrimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), të marrë vendim brenda datës 10.05.2023, lidhur me Kërkesën Ankimore Nr.53 Dt.27.04.2023, depozituar nga subjekti zgjedhor “Partia e Lirisë”.
4. Pushimin e gjykimit lidhur me kërkimin tjetër objekt padie.
5. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur.
6. Ky vendim është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.
U shpall në Tiranë më datë 09.05.2023.
Tiranë, më 09.05.2023
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë