Sako: Nuk do të shembet asnjë shtëpi në zonën e Durrësit të Ri

Sako: Nuk do të shembet asnjë shtëpi në zonën e

Kryebashkiakja, njëherazi kandidatja e PS-së për zgjedhjet vendore për bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako zhvilloi një takim me banorët e Durrësit të Ri.

Sako u shpreh se, kjo është një zonë tërësisht e transformuar, teksa bashkëbisedoi me banorët për projektet e reja në mandatin tjetër.

“Sqarova edhe tymnajën dashakeqëse dhe shpifjet e opozitës. Shpërndarja e trakteve nga kundërshtari se gjoja bashkia do shembë shtëpitë në këtë zonë është gënjeshtër nga një person që nuk ka asnjë plan apo projekt për Durrësin e Ri”, theksoi Sako, në një postim në rrjetet sociale.

Sako theksoi se, “bashkia e Durrësit nuk do të shembë asnjë shtëpi në këtë zonë, por do të punojë vetëm për zhvillimin e Durrësit të Ri dhe do të jetë mbështetëse e banorëve pranë qeverisë për të përfunduar plotësisht procesin e legalizimit”.

Sako shtoi se, traktet e shpërndara nga kundërshtarët në garë, janë thirrje dëshpëruese të humbjes.

Ajo u ndal tek një sërë investimesh të realizuara si, rruga “Shkumbini”, rruga “Danubi”, rruga “Tepelena”, rruga “Shën Pjetër”, rruga “Papa Klemendi”, rruga “Drenica” si dhe ndriçim i akseve të brendshme.

Gjithashtu ajo përmendi sitin e ri në Spitallë, 111 banesa individuale të rindërtuara, 382 familje përfituese DS1-DS3, rehabilitimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të ndotura.

EMISIONET