Andoni: Protesta do zgjasi, por pa një plan konkret mund të dështojë! Duhet të dalin me një lloj platforme
Dita e 11-të e protestave masive pritet të sjellë një valë edhe më të gjerë qytetarësh në bulevard, të ndihmuar edhe nga pjesëmarrja e diasporës.
Pamjet nga terreni tregojnë një rritje të jashtëzakonshme të numrit të protestuesve, ku dominon plotësisht e ashtuquajtura gjenerata Z. Këta të rinj kanë zbritur në rrugë me një spontanitet të paprecedentë, duke sfiduar hapur narrativat e politikës së ditës.
Ndërkohë që krerët e qeverisë aludojnë për ndikime të mundshme të huaja, duke përmendur faktorë iranianë, grekë apo serbë, realiteti i rrugës flet një gjuhë krejt tjetër.
I ftuar në një intervistë në “Ora Neës” analisti Ben Andoni u shpreh se qytetarët gjenden aty thjesht për të shprehur mllefin e akumuluar ndaj qeverisjes, sjelljes arrogante të administratës, çështjeve të pazgjidhura të pronave dhe vështirësive të jetesës.
Ai tha se situata në vend mbetet krit
ike për sa i përket punësimit dhe perspektivës së rinisë, pavarësisht propagandës për integrimin europian.
Megjithatë, pas këtij entuziazmi të jashtëzakonshëm fshihet një rrezik fatal për lëvizjen qytetare. Andoni theksoi se mungesa e një platforme të qartë organizative dhe e individëve përfaqësues mund ta çojë protestën drejt një rënieje të pashmangshme.
Refuzimi total për të bashkëpunuar me çdo krah politik, ndonëse plotësisht i justifikuar nga zhgënjimi masiv ndër vite, ngre një pikëpyetje të madhe mbi mënyrën e kanalizimit të kërkesave.
Shteti dhe institucionet nuk mund të ndërtohen nga rruga, por kërkojnë njerëz të kualifikuar që ofrojnë zgjidhje konkrete.
Tashmë, sfida thelbësore për turmën mbetet gjetja e "karburantit" të duhur për të mbajtur gjallë rezistencën.
A do të munden këto grupe spontane të mblidhen rreth një kërkese dhe strukture unike përpara se revolta të zbehet dhe qytetarët t'i rikthehen rutinës së tyre ditore? Kjo mbetet enigma më e madhe e ditëve në vijim.
PJESË NGA INTERVISTA
Çfarë fryme ju ka përcjellë protesta teksa shihni bulevardin që po mbushet plot me qytetarë?
Ben Andoni: Frymë në fakt pozitive. Unë kam qenë që ditën e parë që grumbullimi nuk ishte i tillë domethënë, dhe duke vijuar pastaj kam parë që grumbullimi i njerëzve ka qenë i jashtëzakonshëm, i fashave të ndryshme. Kuptohet që mbizotëron pjesa e Gjeneratës Z, e ashtuquajtur, që janë të lindurit mbas viteve '80... më falni, që janë mbas vitit 2000 e këtë. Dhe çfarë është interesante është që ka një lloj spontaniteti.
Kuptohet tashmë, shikoj nga burime të ndryshme që flitet për ndikime greke, ndikime serbe, Kryeministri vazhdon me ndikimin iranian... pa e paragjykuar atë që thotë zoti Kryeministër për shkak se informacioni i tij është informacion shumë më i madh nga ai që kemi ne.
Në qoftë se do ishte në protestë, qoftë ai si protestues i thjeshtë apo kushdo tjetër, do shikonte që një pjesë e madhe e njerëzve që janë atje, janë thjesht për të shprehur mllefin e tyre për qeverisjen, për sjelljen e administratës, për përballjen me pronat, për atë që Shqipëria vazhdimisht nuk është në kohën e duhur dhe jo thjesht nga indikacionet ekonomike, por dhe nga probleme të tjera.
Kuptohet që ajo që thotë zoti Rama është... duket sikur e përball sepse thotë ne vetëm shihemi në rrugën drejt integrimit, dhe është e vërtetë që Shqipëria këtë vit me këtë trend mund të mbylli disa kapituj. Por ne që jetojmë në Shqipëri e shikojmë që situata është vërtet jashtëzakonisht e vështirë.
Është e vështirë për punësimin, është e vështirë për të rinjtë sidomos, është e vështirë për të ardhmen, është e vështirë për mënyrën se si është ndërtuar shteti jonë. Dhe në këtë sens, protestën e shikoj pozitive. Para disa ditësh kam bërë një shkrim ku kam paralajmëruar që domethënë, entuziazmi i tepërt e mbyt urgjencën.
Dhe urgjenca e të gjithë njerëzve aty siç shprehet është që kërkohet dorëheqja e zotit Rama, kuptohet dhe dorëheqja e qeverisë së tij e të tjera. Por duket që këto artikulime janë të paqarta sepse në këtë moment tashmë grupet e ndryshme që e kanë organizuar, nuk jam në gjendje të them sepse edhe ata vetë nuk e dinë se si janë të organizuar.
Paçka se unë besoj që aty duhet të ketë njerëz që e dinë mirë organizimin dhe që po kontribuojnë shumë më tepër se të tjerët. Duhet të vijë puna që të gjitha grupet duhet të grumbullohen dhe duhet të dalin me një lloj platforme. Pa dalë me një platformë të përbashkët dhe individë të cilët i përfaqësojnë, që mund të jenë model përsa i përket mënyrës se kujt duhet t'i drejtohesh, me kë të flasësh, me kë të ndërrosh, mënyrën se si do artikulohen më vonë gjërat e tjera.
Unë besoj që protesta do zgjasi, por gjithsesi me kalimin e kohës do ketë dhe ajo ciklet e veta, ciklin e rënies. Ose për shembull, në qoftë se do arrinte të përshkallëzohej në mënyrë të tillë që të bllokoheshin gjërat, që qeveria të përballej në mënyra të ndryshme dhe të kishte përshkallëzime, atëherë patjetër duhet të dalësh me kërkesa të tjera.
Por kini parasysh diçka, në momentin që heq nga ekuacioni çdo krah politik, kur nuk do të bashkëpunosh me asnjë krah politik dhe kjo është e arsyeshme në mendimin tonë për shkak sepse politika i ka zhgënjyer shumë njerëzit, por gjithsesi si do të drejtosh? Se arti i ndërtimit të shtetit nuk bëhet nga rruga, arti i ndërtimit të shtetit bëhet nga institucionet, bëhet nga njerëz që dinë, e njohin dhe që dinë të kontribuojnë për shtetin. Besoj që akoma protesta është në periudhën e, të themi...
Duket si një reagim më shumë ndoshta në këtë moment...
Ben Andoni: Entuziazmit. Dhe kjo duket edhe nga reagimi i të rinjve në mënyrën se si ata përcjellin këtë lloj gjendje. Është një lloj sinergjie që i ka bashkuar të gjithë. Por këtu është ai momenti që duhet gjetur ai filli dhe karburanti që do e mbajë dot më shumë apo jo. Dhe kjo është ajo pyetja që shtrohet para të gjithëve dhe sidomos e njerëzve që shkojnë atje, konsumojnë disa orë, ose të paktën shumë pak nga koha ditore dhe kthehen përsëri duke menduar se çfarë do bëhet në të ardhmen. Ndërkohë që zoti Rama nga ana tjetër vazhdon pjesën e tij të përballjes me protestën edhe elementë të tjerë.
PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANALISTIN BEN ANDONI



