Ambasadorët e SHBA zbarkojnë në Tiranë/ Turi faktmbledhës, Begaj i njeh me reformat në Shqipëri

Në një tur faktmbledhës Këshilli i Ambasadorëve të SHBA ka zhvilluar një takim me presidentin Bajram Begaj. Gjatë bisedës kreu i Shtetit shqiptar ka informuar për reformat në vend por edhe për qëndrimin ndaj agresionit rus mbi ukrainën

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë ka nisur vizitat në vendet e ballkanit në kuadër të një turi faktmbledhës. Në Tiranë ata zhvilluan një takim me presidentin Bajram Begaj, ku u diskutuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Diplomatët e SHBA të kryesuar nga Presidenti i këtij Këshilli, Ambasadori, Timothy A. Chorba, sipas deklaratës për mediat u njohën me reformat dhe hapat e ndërmarra për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor.

Në mënyrë të veçantë në bisedë Begaj u ndal në kontributin e Shqipërisë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e frymës së fqinjësisë së mire në rajon, duke nënvizuar edhe mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai u shpreh se kjo është e vetmja alternative për arritjen e një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme, me në qendër njohjen e ndërsjellë të tyre.

Ndërsa, lidhur me procesin e integrimit evropian,  u theksua se mbetet prioriteti strategjik më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Jashtë vëmendjes nuk mbeti as agresioni rus mbi ukrainën ku Begaj, nënvizoi qasjen e re të Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe i njohu të pranishmit me çeljen e negociatave të aderimit nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Më tej u soll në vëmendje dhe roli e kontributi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në dënimin e agresionit rus dhe në mbrojtje të parimeve të Kartës së OKB-së dhe rendit botëror.

Ambasadorët do të zhvillojnë takime edhe në  Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

EMISIONET