Alibeaj dorëzon firmën në KQZ/ Sefa plotëson dosjen, Celibashi duhet të regjistrojë PD-në dhe koalicionet
Vetëm pak orë pas vendimit të KAS, Enkelejd Alibeaj ka dorëzuar dokumentin shtesë për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit. Tashmë Ilirian Celibashi do të duhet të regjistrojë Berishën në koalicion dhe PD-në më vete
Enkelejd Alibeaj nuk ka vonuar të dorëzojë deklaratën solemne të parashikuar në nenin 64 të Kodit Zgjedhor.
Pak orë pasi KAS i dha të drejtën që si nënkryetar i PD-së të angazhohet se në zgjedhje nuk do të përfshihet në shitblerje të votave, përfaqësuesi ligjor Endrit Sefa është paraqitur në institucionin më të lartë zgjedhor në vend për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar.
Tashmë do të jetë kryekomisioneri Ilirian Celibashi, i cili do të duhet të marrë në dorëzim vendimin e komisionit të ankesave si dhe dokumentin e ri të firmosur prej Alibeajt e më tej të deklarojë regjistrimin e Partisë Demokratike.
nga ana tjetër celibashi do të duhet të marrë vendim dhe për dy kërkesat për koalicion, atë bashkë për fitore, ku veç grupimit në PD që mbështet Sali Berishën do të jenë dhe Partia e Lirisë, Demokristianët dhe PBDNJ.
Bashkimi i dytë i partive do të jetë ai i Aleancës Liberale të Djathtë ku në përbërje janë Balli Kombëtar Demokrat, Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Bashkimi Demokrat.
Pas kësaj vendimmarrjeje partitë e regjistruara dhe koalicionet do të kenë afat deri në 26 mars për të paraqitur kandidatët për kryetar bashkie dhe këshillat në zgjedhjet e 14 majit.