"ALBANIAN FILES"/ Berisha: Libri ngre pikëpyetje për 523 projektet, të hetohen financimet nga Eurojust dhe Europol

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ndaj monologut të kryeministrit Edi Rama për librin “Albanian Files”, duke e cilësuar botimin si një dëshmi të mungesës së transparencës dhe duke kërkuar hetim për burimin e financimeve të projekteve të përfshira në të.

Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve, Berisha u ndal te 523 projektet e prezantuara në libër, për të cilat ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e financimit dhe kërkoi që Eurojust, Europol dhe Interpol të verifikojnë burimin e pagesave për studiot dhe projektet.

Berisha tha se libri nuk paraqet sukseset e qeverisë, por një mënyrë qeverisjeje ku, sipas tij, vendimmarrja është përqendruar në duart e kryeministrit. Ai shtoi se botimi nuk i jep përgjigje çështjeve që lidhen me transparencën dhe financimin e projekteve.

Kreu i PD-së ngriti edhe akuza për konflikt interesi, duke përmendur zonën e Kanionit të Gjipesë, për të cilën pretendoi se janë shkelur ligjet në favor të interesave familjare të kryeministrit.

Në fund të reagimit, Berisha u ndal edhe te programi i paralajmëruar “Rilindja Urbane 2.0”, për të cilin tha se do të shoqërohet me shpenzime të reja publike, duke përsëritur akuzat e opozitës për mënyrën e përdorimit të fondeve shtetërore.

EMISIONET