Adriana Tolka: Ne do të bëjmë luftën tonë, pa u intimiduar se na etiketojnë partiakë apo berishistë

Aktorja Adriana Tolka mbajti sot fjalën e saj në protestën e PD-së në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Tolka u shpreh se edhe sot pas 30 vitesh cënimi i demokracisë rrezikon rikthimin e një shteti monist. Sipas saj një shtet që nuk zbaton ligjet e veta, nuk ka se si të mendojë për qytetarët.

"Është e rëndë, që sot, pas më shumë se 30 vite të rënies së diktaturës komuniste, cënimi i vazhdueshëm i demokracisë rrezikon rikthimin e një shteti monist pa opozitë, pa gjykata që të na mbrojnë, pa hierarki vlerash, një shtet që na vjedh.

Lirinë, të drejtat, mirëqenien nuk duhet t’i presim si dhuratë, as të importuara. As nuk do të rrimë të rrahim gjoksin për bëmat e gjyshërve dhe të etërve. Ata e kryen luftën e tyre dhe u nderuan.

Ne do bëjmë luftën tonë, pa u intimiduar se do të na etiketojnë si partiakë apo berishistë. Ne luftojmë për dinjitetin, për liritë dhe të drejtat tona.

Qëndresa për kauzën e Teatrit Kombëtar sapo hyri në vitin e gjashtë të saj me një zhvillim shumë pozitiv.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka pranuar të kalojë për gjykim çështjen e mosekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila ka shfuqizuar Ligjin Special, si dhe ka rrëzuar vendimin e Qeverisë për kalimin e pronës së Teatrit nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës.

Është e dukshme, që një shtet, i cili nuk zbaton ligjet e veta, nuk ka si të jetë për qytetarët. Ky është fakt. Të gjithë qytetarët duhet të zgjohen, të ndërgjegjësohen dhe të reflektojnë. Le t’i japim krahë kësaj mundësie për të shpëtuar veten, familjet tona dhe kombin. Sot në këtë shesh jemi shumë. Nesër do të jemi edhe më shumë,' tha ajo.

EMISIONET