A e shiti Rama, Veliajn? Bushati: SPAK, me sy nga Kryeministria!

A e shiti Rama, Veliajn? Bushati: SPAK, me sy nga Kryeministria!

Andi Bushati ka folur për hetimet e SPAK ndaj kryebashkiakut Erio Veliajt.

Bushati tha se SPAK “sheh me sy nga Kryeministria”, pra pret sinjale nëse Rama do ta “shesë” Erion Veliajn.

Sipas analistit, hetimi për kryebashkiakun tregon standard të dyfishtë, sepse ai po trajtohet në mënyrë preferenciale krahasuar me hetimet për Ahmetajn, Berishën apo Metën, ky i fundit me masë sigurie “arrest me burg” edhe pse dyshohet për afera që kanë ndodhur shumë vite më parë dhe nuk mund të prishë më prova.

Sipas Bushatit, fati i Veliajt varet nga Rama, i cili është i vetmi person që nuk do të preket nga SPAK, ndërsa të tjerët janë “të shitshëm”.

“Ka shumë njerëz që çështjen Veliaj, duke parë përmasat e politikanit, që deri dje quhej si delfin i Ramës dhe të tjerë, e kanë trajtuar si një gur prove për SPAK-un.

Dhe ka shumë njerëz që thonë, SPAK-u e mbaroi detyrën nëse procedon me Veliajn. Unë jam kundër kësaj, se nuk ka lidhje. Në një sistem autokratik të gjithë janë të pavlefshëm, vetëm autokrati nuk preket.

Po ta shikosh në debate, shumë nga ne kur dalim nga emisioni dhe ulemi në kafe, nuk pyesim ç’do bëjë SPAK-u, por pyesim, a do e shesë Rama këtë Veliajn, ore sikur ia hoqi Tiranën, sikur nuk e ftoi te kjo mbledhje…

Pra në nënndërgjegjen e tyre, edhe ata që janë partizanë të SPAK, e dinë që kjo punë varet nga Rama dhe jo nga një prokurori e pavarur, etj.

Thënë këtë, pra thënë që në një sistem autokratik, kushdo është i shitshëm përveç autokratit, vijmë te dosja konkrete.

Dosja konkrete, për disa elementë, mua më duket se edhe në rastin Veliaj, SPAK përdor dy standarde, në raport me si ka vepruar për të tjerët.

Nëse mbani mend, kontrollin e shtëpive të Arben Ahmetaj, kur i bënë kontroll, nuk i lanë detaj të jetës intime seksuale pa i nxjerrë në pazar.

Tani, krahasoni pak hermetizmin, nuk dimë asgjë që është bërë te Veliaj dhe është mirë që nuk dihet, se nuk kanë pse dalin në pazar, por a kemi dy standarde? Po, dy standarde flagrante.

E dyta, kur është folur këtu, Meta dhe Saliu, një nga argumentet e parashtruara ka qenë, këta duhen izoluar se mund të prishin prova dhe mund të frikësojnë dëshmitarë.

Pra, merret parasysh argumenti që njerëz që kanë qenë në pushtet para një dekade e gjysmë, mund të prishin prova dhe kjo i çon në izolim.

Kurse një njeri, që ka 13 mijë vetë në punë dhe shkon përditë në zyrë të bashkisë, jo ta izolojnë, por të paktën ta pezullonin nga detyra, po ti dhimbsej prishja dhe shkatërrimi i provave? Pra kemi dy standarde.

Pse përdoren këto dy standarde? Edhe SPAK ashtu si lulja e diellit me diellin, shikon me sy nga Kryeministria. A do e shesë Rama? A do na ndezë Rama dritën jeshile?

A mos i prishim punë Ramës, po goditëm pak më shumë se duhet Veliajn, para zgjedhjeve?

Nëse këtë e quajme drejtësi të pavarur, jam dakord, vendosim këtë standard dhe e quajmë të pavarur, por mua më duket me dy standarde”, tha Bushati per MCN.

EMISIONET