Një vit pas tërmetit tragjik që 26 nëntorit 2019, i cili la pas 51 viktima dhe dhjetëra banesa të shkatërruara, kryeministri Edi Rama ka shpërndarë për mediat dhe publikun një video-mesazh.

“Më e keqja është pas krahëve më e mira është e gjitha përpara nesh”, shprehet kryeministri në mesazh.

Më tej kryeministri Rama u kërkon shqiptarëve më shumë kohë dhe durim për të kryer punët në të katër anët e vendit.

“Njerëzit ankohen, shpesh me të drejtë. Sa shumë ka akoma për të bërë në çdo fushë, në çdo aspekt. Unë vetë nuk kënaqem, nuk kënaqem kurrë nga puna ime, s’kam se si. Shqipërinë e gjetëm tamam si ato pallatet që nuk ranë, por mezi mbajnë. Por në këtë punë kam mësuar durimin.  Duhet shumë durim. Punët e mira duan kohën e tyre dhe për t’i bërë mirë duhet shumë durim. Bota shumë e shumë kohë më parë i ka ngritur ato që ne shohim sot. Ne kemi nevojë për kohë që t’i kryejmë punët në të katër anët njësoj si me rindërtimin. Edhe me ekonominë edhe me shëndetësinë,  arsimin edhe me infrastrukturën me gjithçka. Që të ndërtojmë shtetin që meritojnë fëmijët tanë. Na duhet vetëm kohë dhe punë e durim. Sepse përkushtimi i madh nuk na mungon. Kjo mbase është pak por kjo është shumë e sigurtë”.

“I pa harruar kujtimi i viktimave të një viti më parë”, mbyll mesazhin kreu i qeverisë.

Mëngjesin e 26 Nëntorit, rreth orës 03:45, qendra e vendit u trondit nga një tërmet me magnitudë 6.4 ballë i shkallës rihter, i pasuar edhe nga lëkundje të tjera sizmike.

Zonat më të goditura ishin Durrësi dhe Thumana, ndërsa dëme pati edhe në Tiranë, Fushë Krujë dhe Laç.