Rama takim me Presidentin austriak, ne fokus klima parazgjedhore e KQZ

Kryetari i Partisë Socialiste është pritur sot në një takim të posaçëm nga Presidenti i Republikës së Austrisë Heinz Fischer.Në këtë takim presidenti i Austrisë dhe lideri i opozitës Edi Rama kanë ndarë mendime lidhur me situatën politike parazgjedhore në Shqipëri. Në këtë bisedë vëmendja është përqendruar tek klima parazgjedhore në vend dhe çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.Presidenti i Republikës së Austrisë u shpreh mbi domosdoshmërinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.Një tjetër çështje e bisedës mes Kryetarit të Partisë Socialiste Rama dhe Presidenti i Austrisë Fischer ishte edhe arritja e marrëveshjes Kosovë Serbi dhe dialogu i vendosur mes dy shteteve. Nga të dy bashkëbiseduesit arritja e marrëveshjes u vlerësua fort, si një faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit.Kryetari Rama e njohu Presidentin Fischer me Programin për një Rilindje Shqiptare, duke vënë theksin te rëndësia e ndryshimit të modelit qeverisës dhe ekonomik për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, të vendit, në të gjitha fushat.Bashkëpunimi me Austrinë, për Kryetarin Rama, siç u shpreh edhe gjatë këtij takimi, është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.Po ashtu, Edi Rama i ka bërë një ftesë investitorëve austriakë që të rikthejnë vëmendjen nga Shqipëria, sepse pas 24 qershorit qeveria e re e majtë do të mundësojë një klimë të favorshme ndaj biznesit duke vendosur standarde europiane të konkurrencës dhe të zbatimit të ligjit.Më herët Rama u takua në Vjenë edhe me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së Lamberto Zanier me të cilin ka zhvilluar një drekë pune.