PS thirrje Berishës: Të gjejmë zgjidhje për rikonstituimin e KQZ
Partia Socialiste ka ripërsëritur sot apelin për rivendosje të besueshmërisë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Deputetja e PS-së Vasilika Hysi nënvizoi rëndësinë e kthimit të besimit të KQZ-së tek publiku.“Partia Socialiste e ka theksuar në vijimësi domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të KQZ, si institucioni kryesor për administrimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Nisur nga kjo bindje, por edhe në përgjigje të shqetësimit të partnerëve tanë në BE dhe SHBA, ne si PS jemi të gatshëm për të punuar për të gjetur një zgjidhje e cila do të garantonte integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 23 qershorit. Për të gjitha arsyet e mësipërme, e ftojmë kryeministrin në ikje që në këto momente të dëgjojë zërin e arsyes dhe shqetësimin që nuk vjen vetëm nga Partia Socialiste dhe opozita, por nga të gjithë partnerët strategjikë të Shqipërisë në këto momente delikate për vendin tonë” tha Hysi.Sipas saj PS është në sinkron me shteësimin dhe alarmin që po lëshojnë cdo ditë ndërkombëtaret, se zgjedhjet janë në rrezik.“Çdo ditë e më tepër, po bëhet e qartë për të gjithë shqiptarët se tentativa e Sali Berishës për të rrënuar KQZ është kthyer në një burim alarmi për të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Njëri pas tjetrit, ambasadorë, zyrtarë të lartë, komisionerë e miq të tjerë të shqiptarëve në BE dhe SHBA kanë deklaruar se rrëmbimi i anëtarit të KQZ nga mazhoranca e Sali Berishës është i pambështetur në ligj dhe ka kompromentuar rëndë besueshmërinë dhe legjitimitetin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Në të njëjtën linjë ishin dje edhe Komisioneri Fule, Ambasadori Arvizu, Drejtori i Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore të cilët theksuan rëndësinë jetike të mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme në 23 qershor, por edhe koston e papranueshme që do të kishte për vendin cënimi i standardeve më të larta ndërkombëtare dhe europiane në këto zgjedhje”theksoi ajo.“Siç u shpreh dje Ministrja Irlandeze për Çështjet Europiane, vendi i së cilës mban presidencën e radhës të BE “BE i konsideron të një rëndësie thelbësore mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe europiane dhe ky do të jetë një test për funksionimin e patrazuar të institucioneve demokratike të vendit dhe në të vërtetë për progresin në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë. Po ashtu edhe SHBA në vijimësi të mesazheve dërguar kryeministrit cilëson si domosdoshmëri rikonstituimin e KQZ-së, si një akt të nevojshëm për të rikthyer besimin te procesi zgjedhor” përfundoi deputetja e PS.