Balla shpallet fajtor për akuzat për korrupsion ndaj Pollos. Balla: U gatua në aneksin e Berishës; Pollo: Minimal, do e apelojmë
30.000 lekë gjobë dhe mbulimin e shpenzimeve për 17 seanca gjyqësore të zhvilluara gjithsej. Ky është dënimi që Gjykata e Tiranës ka vendosur për deputetin e PS-së Taulant Balla pas akuzave në Kuvendin e Shqipërisë të bëra në tetor të vitit 2011 për korrupsion kundër Ministrit Genc Pollo, shpërdorim detyrë dhe abuzim me tenderat, akuza për të cilat trupa gjykuese e shpalli fajtor.Menjëherë pas vendimit avokati i Ballës deklaroi se drejtësia shqiptare po vepron me 2 standarde duke theksuar se “deputetët e PS dënohen, ndërsa ata të mazhorancës jo”.Ndërsa vetë Balla perms nje deklarate per mediat tha se ky është një tjetër vendim që u gatua në aneksin e kuzhinës së kryeministrit Berisha. Ai nuk nguroi ta riakuzojë ministrin Pollo, ndërsa tha se do vijë dita kur ai të hetohet për të gjitha pazaret që ka bërë.“Rilindje edhe për sistemin gjyqësor, për ta shpëtuar nga kontrolli i Saliut. Ndërsa Genc Pollos i them se do të hetohesh për të gjithë pazaret që ke bërë dhe po bën. Edhe këto ditë po tenderon me shpejtësi dhe fshehtësi rrjetin dixhital të televizionit prej 25 milionë eurove. Në fund dua ta falenderoj gjyqtarin, i cili vlerësoi se dinjiteti moral i Genc Pollos vleka 30 mijë lekë”, deklaroi deputeti i PS.Ndërsa Ministri Pollo u shpreh i kënaqur me vendimin e gjykatës që i shpalli akuzat e deputetit Balla shpifje, por vlerën e dëmshpërblimmit e ka vlerësuar të ulët dhe jodekurajuese për shpifës të tjerë si Balla.“Jam i kënaqur me verdiktin e gjykatës që shpalli gënjeshtra dhe shpifje deklaratat e Ballës. Dëmshpërblimi i caktuar nga Gjykata ishte i ulët dhe jodekurajues për shpifës të tjerë si Balla. Ajo sasi parash e dëmshpërblimit do t'i kalojë Kryqit të Kuq Shqiptar. Megjithatë po shqyrtojmë mundësinë e apelimit të këtij vendimi lidhur me masën e dëmshpërblimit” tha ai.