Vrasje me armë në Durrës, policia parandalon një vrasje në Shijak

Një vrasje me armë zjarri është shënuar paraditen e sotme në qytetin e Durrësit.Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen 18 të qytetit bregdetar ku 27-vjeçari Refik Lila është qëlluar për vdekje në rrethana ende të panjohura.Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes disa të rinjve ndërkohë që policia e cila ka shkuar në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.Ndërkohë më herët forcat e policisë së Shijakut bënë të mundur parandalimin e një vrasjeje ndërsa arrestuan edhe autorin e ngjarjes.Pas marrjes së një një telefonate në Sallën Operative se në fshatin Gjepalaj një shtetas po qëllonte me armë zjarri në drejtim të banesës së 52-vjecarit B.Gj., në vend shkuan menjëherë shërbime të këtij Komisariati, të cilët lokalizuan në afërsi të banesës, të armatosur 37-vjeçarin Blerim Gjepali, banues në këtë fshat.Menjëherë forcat e policisë arritën të vendosin negocim me shtetasin e armatosur i cili paraqiste shkallë të lartë agresiviteti ndërsa më pas efektivat e policisë ndërhynë duke bërë të mundur neutralizimin e 37-vjeçarit.Paraprakisht, nga verifikimet e para mendohet se ngjarja ka ndodhur për motive tejet banale (mosdhënia e një shume parash borxh autorit nga djali i të dëmtuarit).Me sigurimin e vendit të ngjarjes, aktualisht po vijohet me kryerjen e veprimeve të para. Ndërkohë, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes .