Bumçi takon Thaçin në Kosovë: Marrëveshja, epokë e re për gjithë rajonin
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka pritur sot në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi.Në takim është vlerësuar se Marrëveshja e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e përafruar në Bruksel më 19 prill, do të jetë argument shtesë për vendet që ende janë në proces të njohjes së pavarësisë së Kosovës.Bumçi, përgëzoi kryeministrin Hashim Thaçi për marrëveshjen e arritur, që shënon një epokë të re me mundësi për të gjithë rajonin.Ministri Bumçi po ashtu u shpreh i bindur se kjo marrëveshje do të jetë edhe në funksion të shtimit të numrit të njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.Kryeministri Thaçi ka falënderuar ministrin Bumçi dhe Qeverinë e Shqipërisë për rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe po luan në mbështetje të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.