Berisha: Punësim të të rinjve, Rama nuk mori iniciativa të tilla

Dhjetë plan-bizneset më të mira, të hartuara nga studentë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës kanë përfituar sot një grant prej 2500 dollarësh. 300 studentë janë përfshirë në konkurs mes tyre, për planet më të mira të biznesit. 60 grupe studentësh me nga 5 persona, kanë aplikuar dhe 20 prej tyre u përzgjodhën në fazën finale që u zhvillua gjatë ditës së sotme. 10 më të mirët u përzgjodhën:Kripto; ABSC; Shpi-Al; Pro-Life; Inovacione - Kujtime Melodioze; In Time Machine; Kërminjtë BIO; Abazhuri që flet; Minus.al Tourist dhe Social Life Inf. Center.Në përfundim, juria e përbërë nga pedagogë të Fakultetit Ekonomik dhe drejtori iPlanifikimit Strategjik dhe Buxhetit në Bashkinë e Tiranës përzgjodhën 10 më të mirët. Finalizimi i këtij konkursi u ndoq nga afër edhe nga Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka, biznesmenë të Tiranës etj.Kjo është vetëm një pjesë e projektit të Bashkisë së Tiranës dhe Bankës Botërore. Nga ky projekt kanë përfituar edhe 353 të rinj të kryeqytetit, të cilët janë trajnuar dhe mbështetur me grante, për të hapur një biznes të ri. Kryebashkiaku Basha e ka cilësuar këtë nismë, si pjesë të vizionit të Bashkisë, për të mbështetur sipërmarrjen dhe punësimin e të rinjve të kryeqytetit.“Është një premtim që po bëhet realitet në vitin e dytë nga kjo bashki, sikundër shpreh kënaqësinë time që është një premtim frymëzues edhe për paraardhësin tim, për 11 vite në Bashkinë e Tiranës, frymëzimi i të cilit është kaq i madh, sa që po na habit duke na thënë se “i paskemi kopjuar një program”, të cilin kishte 11 vite që nuk e zbatonte e në fakt as nuk e premtonte. Kjo është pjesë e një përballje tjetër, një përballje që pa dyshim do të na vendosë edhe njëherë përpara zgjedhjeve, ashtu sikundër është vendosur edhe juria sot, për të zgjedhur propozimin më të mirë, propozime që duhet të vijnë të plota, të detajuara nga ata që kërkojnë votën e qytetarëve të Tiranës dhe jo të kamuflohen në ”demagogjira”.Ne si Bashki, jemi të kënaqur që sot e bëjmë realitet këtë premtim dhe bëjmë të mundur që me anë të vullnetit politik, vendosmërisë sonë për ta trajtuar bashkinë jo thjesht si një komunale, t’i japim një impuls të ri zhvillimit ekonomik, punësimit dhe në veçanti vetëpunësimit dhe punësimit të të rinjve të qytetit të Tiranës” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.Brenda muajit maj, pritet të nisë edhe jetësimi i fondit të garancive të vëna në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, për të rinjtë nën 35 vjeç që do të hapin një biznes të ri. Kjo është një formë e nxitjes së kreditimit për rininë, sipërmarrësit e rinj.“Nuk mbetemi tek fjalët, kemi vënë edhe bastin 1 milionë euro dhe presim të shpërblehemi nga entuziazmi dhe besimi i rinisë kryeqytetase tek vetja e tyre dhe tek sipërmarrja e lirë, tek liria për të bërë biznes në qytetin tonë, bast të cilit edhe Kryeministri Berisha ka ndërmend t’i bashkëngjitet (ndoshta basti i parë të cilit do i bashkëngjitet në jetën e tij). Në fakt ky angazhim që është edhe më ndërhyrësi, sa i përket punësimit në tërësi dhe punësimit të rinisë në veçanti, gjenezën, “filizin” e ka në një ndër bisedat elektorale të miat si ish-kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës me Kryeministrin, në muajin prill 2011” - theksoi Basha.Kryeministri tha se ndezja e një gare të tillë dhe konsolidimi i këtyre praktikave është jashtëzakonisht i rëndësishëm, është një interes madhor për dinamizimin dhe fleksibilizimin e tregut të punës, si një faktor jetik në performancën e një ekonomie.“Ndezja e një gare të tillë, zhvillimi saj është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Konsolidimi i praktikave të tilla, dinamizimi i zyrave të karrierës, shqyrtimi i të gjitha mundësive për kualifikim dhe rikualifikim për një përshtatje më të mirë me tregun, është interes jetik për fakultet dhe universitet tonë, është një interes madhor për një dinamizim dhe fleksibilizm të tregut të punës, faktor madhor, ky në performancën e një ekonomie. Unë përgëzoj bashkinë e Tiranës për persistencën që tregon në shndërrimin në realitet të programit të saj. Kur zoti Basha kandidoi për Tiranën, unë mund tu them ju se ne rast se ju do të merrni dhe të analizoni të gjithë fjalët, fjalitë, fjalimet e paraardhësit të tij dhe janë analizuar, ka dalë një Shares profesionist, sipas Sorrosit. Kjo ishte me e shpeshta që u gjet në fjalët e tij, gjatë qeverisjes, por e lëmë këtë. Në rast se analizoni fjalët e tij, fjalimet e tij, ju nuk do të gjeni kurrë përpjekjen për punësim, fjalën punësim, në terminologjinë e tij. Përkundrazi, kur partia demokratike me kandidatin e saj shpalli platformën për punësimin, të qeverisë së ardhshme vendore, përgjigja e tij ishte se: - “punësimi nuk është çështje e imja, është çështje e qeverisë”. Punësimi është çështje më kryesore e qeverisë qendrore, e qeverisë vendore, e të gjithë faktorëve të rëndësishëm të një shoqërie. Sigurisht qeveria vendore në territorin e qytetit të Tiranës, absolutisht ka potencial të jashtëzakonshëm të ndikojë në punësimin” – u shpreh Kryeministri Berisha.Studentët kanë gjetur menjëherë mbështetjen e sipërmarrësve për idetë dhe projektet e tyre. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe anëtarët e Dhomës së Tregtisë kishin oferta konkrete.“Ajo që dëgjuam ne sot dhe ajo çfarë kemi lexuar në programe dhe në idetë inovative të studentëve që paraqiten sot pranë jurisë, realisht shpreh interesin e sipërmarrjes shqiptare, interesin e sipërmarrjes së Tiranës. Unë sot kam me vete edhe dy sipërmarrës , janë të interesuar për të përfshirë në aktivitet e tyre dhe në zgjerimin e portofolit të tyre, të shërbimit të tyre për këta studentë, këto ide inovative që i shërbejnë edhe sipërmarrjes” –theksoi Jaka.