Bumçi-Monti: Mbështetje të fuqishme projektit TAP

Në kuadër të Ministerialit të NATO-s që u zhvillua në Bruksel, Ministri i Jashtëm Aldo Bumçi ka zhvilluar një takim dypalësh me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Italisë Mario Monti.Ministri Bumçi, duke vlerësuar rëndësinë strategjike që ka bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë theksoi se forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare përbën një bazë të sigurtë për fuqizimin e mëtejshëm të investimeve italiane direkte në Shqipëri.  Po ashtu ai falënderoi z. Monti për mbështetjen e vazhdueshme që Italia në vazhdimësi i jep Shqipërisënë procesin e integrimit në BE.Duke iu referuar finalizimit të Projektit TAP, Ministri Bumçi edhe njëherë vlerësoi rolin e rëndësishëm që luan Italia në këtë drejtim. Ai theksoi se ky projekt është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, si dhe po aq i rëndësishëm mbetet edhe për forcimin e sigurisë energjetike në rajon.Kryeministri Monti u shpreh se Italia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat sa më shpejt. Duke vlerësuar trendin shumë pozitiv të shkëmbimeve tregtare ai tha se Italia nxit rritjen e investimeve italiane në Shqipëri.Lidhur me Projektin TAP, z. Monti tha se është një objektiv strategjik për Italinë dhe zgjidhja më e mirë në kuadër të korridorit të Jugut. Po ashtu ai vlerësoi edhe mbështetjen e marrë nga vendet që do të përfshihen në korridorin Adriatiko-Jonian. Kryeministri Monti siguroi Ministrin Bumçi se Italia do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht Projektin TAP deri në aprovimin e tij.