Zgjedhjet në ? Malaj: Duhet një marrëveshje politike për t’i kthyer legjitimitetin KQZ

Në një kohë që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është futur në një rrugë pa krye, duke vënë në pikëpyetje të madhe të gjithë procesin zgjedhor, deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj të vetmen zgjidhje e sheh përmes një marrëveshje politike. I ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, Malaj shprehet se sado tensioni mes palëve ndodhet në maja, mundësia për dialog ekziston ende.“Është krijuar një krizë, kjo ka të bëjë me mentalitetin e mazhorancës, opozita kërkon garanci në cdo demokraci të lirë. Ajo që u diskutua gjatë ishte fakti se pasi janë zgjedhur anëtarët e KQZ, pavarësisht nga kush propozohen s’mund të ndahen më në bazë partish dhe të mendohet se do shërbejnë verbërisht si militant të tyre. Po të ishin përfaqësues partiakë s’kishin pse të bëjnë betim. S’kam ndonjë formulë me vete, besoj se jemi në limitet për të mos dëmtuar kredibilitetin e zgjedhjeve. Opozita nuk po pret të jetë me humor Kryeministri, por pas kësaj situate është cënuar kredibiliteti i KQZ. Sot ngriu angazhimin edhe përfaqësuesi i PBDNJ, i cili ska përcaktuar ende koalicionin. KQZ-së duhet ti njohim vetëm një atribut, pavarësinë e tij. Shkarkimi i anëtarëve të tij, nuk bëhet më me ndryshimin e raporteve politike, por vetëm në raport me ligjin dhe kodin zgjedhor. Duhet një marrëveshje politike dhe kudo thuhet se krizat ulin palët në tavolinë, ndaj le të jemi optimist” deklaroi Malaj.

Duke ju referuar dhe punimeve në seancën parlamentare të së enjtes, Malaj mohoi faktin se PS po tenton të bllokojë procesin zgjedhor, duke sjellë në vëmendje pjesmarrjen në Kuvend  të deputetëve socialist dhe bashkimin e votave me mazhorancën për kalimin e 4 ligjeve.

“PS mori pjesë në seancë sot, miratoi disa ligje të rëndësishme, ku një prej tyre ishte ajo e sistemit bankar. Pra po të kishim qëllim bllokimin, s’do merrnim pjesë në parlament. Ne e dimë që ekonomia është keq dhe marrim përsipër të votojmë ato ligje që krijojnë premisa. Është e vërtetë që janë bërë diskutime të plota, kur ndërhyhet në kode debatet janë jo të lehta, por sugjerimet e PS u morën parasysh, nuk është një ligj që diskriminon huamarrësit shqiptar. Nëse një vend ka një rritje të mirë ekonomike nuk krijon hua të këqia” u shpreh ai.

Në cilësinë e ish-ministrit të Financave, Malaj thekson se situata ekonomike në vend ndodhet në një gjendje tejet të rënduar. Duke e parë si një nga sfidat më të mëdha të PS, në kushtet e një rrotacioni politik pas 23 qershorit, Malaj shprehet se një tensionim politik para dhe pas zgjedhjeve do ta agravonte edhe më tej situatën.

“Të gjitha ballafaqimet politike janë për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe sociale të njerëzve. Kemi kohë që paralajmërojmë se trendi i zhvillimve ekonomike në vend ka ardhur duke u përkeqësuar, është rritur diferenca e mosrealizimit, ka rënë aktiviteti ekonomik.  Ajo që do mbetet pas 23 qershorit në mënyrë të qartë do të jetë një gjendje më e përkeqësuar. Borxhi public është mbi limit është rritur me 20% që nga fillimi i krizës. Duket se ka një situatë të përkeqësuar, varfëri në rritje, ka rritje të borxhit që bëhet cdo ditë e më e vështirë për ta menaxhuar. Jam i bindur se rrotacioni politik do ndodhë, problemi është që koha para dhe pas zgjedhjeve të mos jetë e tensionuar politikisht, pasi e bën më të vështirë. Sa të thella do jenë rritja e taksave apo shkurtimet sociale kjo mbetet tek besueshmëria që do krijojë qeverisja e re me institucionet ndërkombëtare të ekonomisë. Duke qenë se kemi një borxh të tarshëguar shumë të lartë, do duhet një mbështetje nga institucionet financiare” tha më tej deputeti socialist.

I pyetur mbi alternativën e PS, në kushtet e një “dështimi” të skemës aktuale të  pensioneve ai u përgjigj:

“Skema është përkeqësuar, mblidhen më pak të ardhura  dhe paguhen më shumë, duke krijuar një deficit të madh. Kur ishim ne bëmë një reformë me zgjatje të daljes në pension. Qeveria ka mbi tavolinë shqetësimin e FMN dhe BB se skema ka dështuar. Duhen futur skemat private, skemat miks, në mënyrë që barra të mos shkojë tek taksapaguesit, po ashtu të ketë dhe mundësi investimi. Thelbi për të mbijetuar  është të kemi rritje më të lartë ekonomike, rritje me punësim” deklaroi deputeti i PS dhe ish-ministër i Finacave Arben Malaj.