MPJ përshëndet miratimin e rezolutës së PE për eurointegrimin e Kosovës
Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet rezolutën e Parlamentit Evropian për procesin e integrimit europian të Kosovës. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, MPJ thekson se përmes kësaj rezolute, Parlamenti Evropian konfirmon edhe një herë rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian të Kosovës, dhe konsolidimin e saj si shtet i pavarur dhe sovran që kontribuon pozitivisht për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.MPJ mirëpret dhe i bashkohet thirrjes së Parlamentit Evropian drejtuar 5 vendeve anëtare të BE që nuk e kanë njohur ende Kosovën e pavarur, gjithashtu duke i inkurajuar ato të krijojnë lehtësitë e nevojshme për rritjen e kontakteve në të gjitha nivelet dhe fushat.Në këtë kontekst, MPJ inkurajon përfundimin sa më parë e me sukses të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, çka do të sjellë padyshim afrimin më të shpejtë të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe përparimin e procesit të integrimit të saj me të drejta të plota e të barabarta.MPJ shpreh kënaqësinë që në këtë rezolutë shprehet qartë e paekuivok mbështetja e plotë ndaj shtetit të Kosovës, e cila u reflektua dhe në heqjen e poshtë-shënimit cilësor përkrah emrit Kosovë.Gjithashtu u bashkohemi thirrjeve të Parlamentit Evropian dhe partnerëve kyç në këtë proces për finalizimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, Kosovës dhe Serbisë, si dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri tani nga dialogu i nivelit të lartë mes dy vendeve, i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë, Baronesha Ashton.Të enjten Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën për Kosovën, me të cilën edhe një herë mbështet procesin e integrimit evropiane për vendin.Rezoluta u bën thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende shtetësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.Në këtë votim ka kaluar edhe amandamenti për të hequr fusnotën nga teksti, ku përmendet emërtimi i Kosovës.Ky tekst ishte vendosur me propozimin e disa deputetëve nga vendet që nuk e njohin Kosovën. Kërkesa për ta hequr këtë funsnotë ka marrë shumicën e votave në seancën e sotme të Parlamentit Evropian.Ky institucion ka miratuar sot edhe rezolutën për Serbinë, e cila i propozon Komisionit Evropian që t'i japë asaj datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.