Seanca parlamentare, debate mes mazhorancës dhe opozitës për KQZ

Situata në KQZ, pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të dy anëtarëve të propozuar nga opozita, dhe lirimit nga detyra të ish-anëtarit Ilirian Muho, ishte në qendër të debatit të sotëm në parlament. Ndërsa u diskutuan ndryshimet në Kodin Civil, palët nuk kanë mundur të mos i referohen dhe të përfundojnë tek zhvillimet në KQZ, me në fokus shkarkimin e Ilirjan Muhos. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi nga foltorja e Kuvendit deklaroi se diskutimi për Ilirjan Muhon nga ana e opozitës po kthen seancën parlamentare në një teatër qesharak.“Kjo është seanca më qesharake që do mbahet mend në historinë e këtij parlamenti, ku kryetari i vë në rresht deputetet e partisë së tij të tregojnë histori me krimba. Kjo vjen si ajo barcaleta e studentit të paaftë që kishte mësuar vetëm krimbin. Dhe kur filloi provimi, studentit të paaftë i ranë 2 pyetje që s’kano të bëjnë me krimbat. I ra Luani dhe qeni, Luani është luan, tha, hungërin si qeni, por nuk janë krimba se po të ishin krimba do ishin kështu. Krimbi.... Dhe ju mësuat vjershën e Edi Ramës për krimbat dhe u morën vetëm me krimbat. Dhe u morët me të njëjtën histori për të shmangur një histori që po i bën gjëmën Edi Ramës, që po i kthehet në bumerang të madh, për të shmangur vëmendjen nga listat. Dhe janë gati të lëpijnë e pështyjnë cfarë u thotë kryetari vetëm të jenë tek listat dhe krijojnë një luftë imagjinare që ne e paskemi masakruar Ilirjanin, Ilirjanin që e kanë shkarkuar për një histori që të gjithë e dimë. Por e dini ju se Ilirjani paska pushuar dosjen e vëllait dhe vëllai i vet ka kryer një vrasje dhe vëllain me ndërhyrjen e vet e paskan liruar. Kjo mund të mos bëjë çudi sesi mbulohen historitë e vëllait dhe ne vazhdojmë të flasim për krimbat, flasim për taksat futemi te krimbat dhe t’i lemë krimbat e të flasim për qytetarët. Kjo është një paketë që sjell një reformë të jashtëzakonshme që është hartuar me ekspertët më të mirë të BE, ndaj duhet votuar”deklaroi ai.Duke iu referuar kodit civil, Halimi tha se ndryshimet synojnë garantimin e një shërbimi cilësor për qytetarët dhe veprimtari me efektive të gjykatave.“Nuk do të ketë më dëshmi trashgimnie në gjykata. I japim fund shpenzimeve prej 300 mijë lekë dhe tre muajve kohë të harxhuara në gjykatë. Nuk do të ketë më as vendime gjyqësore të veçanta për urdhëra ekzekutimi. I japim fund edhe shpenzimeve prej 250 mijë lekë për një vendim gjyqësor urdhër ekzekutimi dhe javëve të tëra pune” theksoi Halimi.Sipas tij, gjyqtarët do të kenë më pak çështje për të gjykuar dhe si rezultat,do të gjykojnë më shpejt çështjet e tjera.“Përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët. Kjo paketë duhet mbështetur nga të gjithë, është një premtim i mbajtur nga ne” u shpreh Halimi, ku nuk kurseu dhe akuza në drejtim të opozitës si finacues të bandave gjatë qeverisjes së tyre dhe degradim të sistemit të drejtësisë.Ndërkaq deputeti socialist Fatmir Xhafaj akuzoi qeverinë dhe mazhorancën se me votimin për shkarkimin e anëtarit të LSI nga KZ dëshmuan se shkelën hapur ligjin.“Është shkelur haptas ligji, rregullorja, është e rëndë shumë e rëndë për parlamentin shqiptar dhe e turpëron parlamentin shqiptar. Në analet e këtij parlamenti kjo do mbahet mend si një precedent i rrezikshëm. Sesi ligjet nuk janë bërë për ligjvënësit. Mjaft që ta kërkojë interesi i politikës së ditës. Kjo është arsyeja se pse maxhoranca juaj është katandisur në një repart të ekzekutivit tuaj, thjesht me një ngritës kartonësh me vullnetin e kryeministrit, e keni harruar Kushtetutën, ligjin, rregulloren, standardet e parlamentarizmit, ju ka zënë sytë pushteti, pushteti abuziv që i ka zënë sytë së drejtës. Ja pse duhet të ikni një orë më parë nga karriget tuaja, për të liruar shtetin e së drejtës parlamentarizmin në këtë vend”-tha ai.Dhe ka mjaftuar pikërisht ky prononcim i zotit. Xhafaj, që kryeparlamentarja .Topalli ti drejtohet me një pyetje:Topalli: Në 2003 a ishit ministër i drejtësisë z Xhafaj?Xhafaj: jo!“Të falënderoj! Ju Fatmir Xhafa, keni qenë Ministër i Drejtësisë në 2003, prandaj i bëni sot avokatinë Ilirjan Muhos. Vazhdo dhe mbroje , je i identifikum me të, edhe sot e mbron që ka liruar një person të dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata ndërkombëtare” deklaroi Topalli.