Berisha në Berat: Ndërtimi i një rrjeti ujitës modern, objektivi ynë i së ardhmes
Rrjet ujitës modern për Beratin dhe të gjithë Shqipërinë. Ky ka qenë zotimi i Kryeministrit Berisha para banorëve beratas, duke i dhënë përgjigje kështu edhe akuzave të herëpashershme të ish-aleatit qeverisës, LSI për lënie në harresë të këtij qarku. Ndërsa inaguroi rikonstruksionin e rrugës Kozare-Kuçovë, Berisha tha se mandati i ardhshëm katërvjecar do të përmbyllë dhe projektin më të rëndësishëm të kësaj qeverie, rrjetin e infrastrukturës rrugore.“Ne i mbajmë fjalët tona dhe i bëjmë ato realitet. Ne premtuam vite më parë se do të dyfishojmë pensionet e fshatit. Ne i kemi dyfishuar ato dhe do të vazhdojmë t’i rrisim. Ne premtuam se do të subvencionojmë projektet. Katër vitet që shkuan ne kemi subvencionuar 42 mijë projekte në fshat. Ne premtuam se do t’ju ndërtojmë ju infrastrukturën rrugore të njëjtë me lagjet e qyteteve. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 8 mijë kilometra rrugë rurale. Ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë rurale që ka mbetur për t’u ndërtuar. Në katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në Kozarë, në Berat dhe kudo në Shqipëri rrjetin e ujitjes më modern që ekziston sot në ndonjë vend” tha Berisha.Kryeministri më tej ka informuar fermerët e zonës se qeveria shumë shpejt do të vendosë subvencionimin e akcizës së naftës, ndërsa i garantoi ata për kthimin e parave të TVSH për kimikatet në duart e tyre dhe jo më tek firmat.“Unë kam kënaqësinë e madhe t’ju jap ju fermerëve të Kozarës, të Beratit dhe të mbarë Shqipërisë lajmin e mirë se qeveria do të vendosë së shpejti të subvencionojë akcizën e naftës për ju. Kjo do të jepet me para në dorë për sipërfaqen që do të mbillni. Ne do të bëjmë gjithçka për suksesin tuaj. Ne do të bëjmë gjithçka që djersa, mundi dhe puna juaj të shndërrohet në begati, të shndërrohet në mirëqenie, të shndërrohet në jetë më të mirë. Qeveria e hoqi TVSH-në për plehrat dhe për kimikatet që ju përdorni. Tani qeveria do t’jua japë ju paratë e TVSH-së për plehrat dhe për kimikatet që përdorni. Ne kemi respekt për firmat, por ajo TVSH kishte si synim të vinte tek ju. Ndaj kemi gjetur skemën t’jua dorëzojmë juve në dorë paratë e TVSH për plehrat dhe kimikatet” shtoi më tej ai.Kryeministri më tej bëri një panoramë të investimeve të qevrisë në këtë qark, ndërsa i ftoi banorët për një fushatë elektorale të qytetëruar, të bazuar në argumentin, faktet dhe programin më të mirë.“Ne, vetëm në këtë mandat, ndërtojmë në Berat rrugë të reja dhe rindërtojmë rrugë më shumë se të gjithë kohërat të marra së bashku. Nga kanionet e Osumit deri te unaza e Shpiragut dhe Lushnje, në qarkun e Beratit kemi ndërtuar dhe rindërtuar 500 kilometra rrugë. Unë jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën se do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë, aty ku ju jeni. Në qarkun e Beratit kemi ndërtuar dhe rindërtuar 65 shkolla, 31 ujësjellës e kanalizime, 46 qendra shëndetësore dhe ambulanca. Në këtë qark të burrave dhe grave punëtorë të shkëlqyer, ne kemi subvencionuar më shumë se kudo tjetër. Ne kemi subvencionuar 2600 hektarë ullishta, pemëtore, vreshta, sera e kultura të tjera. Në qarkun e Beratit ne kemi mbështetur me subvencion 6840 fermerë. Unë jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën se ndihmën për ju do ta 3-fishojmë në mandatin e ri. Ndaj dhe ju bëjmë thirrje ju se duhet të zhvillojmë së bashku fushatën elektorale më festive, më të qytetëruar, fushatën e bazuar në argumentin, në faktet, në mendimin, në opinionin, në programin më të mirë. Në Berat, në Lushnje, në Vlorë dhe kudo, unë jam ulur me fermerët për të dëgjuar fjalën e tyre, për të dëgjuar dertet e tyre, hallet e tyre, mendimet e tyre për programin tonë. Unë u jam shumë mirënjohës atyre për mendimet e përgjegjshme dhe të drejta që më kanë dhënë. Unë ju garantoj se të gjitha do t’i bëjmë realitet” përfundoi Berisha.Rruga Kozarë-Kuçovë, 3.82 kilometra, lidh qendrën e komunës Kozarë, me qytetin e Kuçovës. Përfitues nga ky investim janë 25 mijë banorë të komunave Kozare, Kuçovë, Perondi. Kjo rrugë është financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve, me vlerë 163 milionë lekë.Kryeministri Berisha informoi banorët se fillojnë, gjithashtu, punimet në dy segmentet shtese që ka kërkuar komuniteti i zonës: rikonstruksioni i hyrjes së qytetit të Kuçovës, si dhe rikonstruksioni i aksit Polovinë-Drizë, i cili do të lidhe komunën Perondi me rrugën Kozare-Kuçovë.