Berisha me raporterët e KiE:Do zhvillojmë zgjedhjet më të mira

Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të realizuar në Shqipëri zgjedhjet më të mira të realizuara gjatë dy dekadave të fundit konform standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.Gjatë një takimi me Raporteret e Asamblesë parlamentare të  KiE-se, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët ndodhen në Shqipëri për të vlerësuar përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 23 qershorit, kryeministri Berisha u kërkoi atyre të ushtrojnë të gjithë influencën ë tyre që në Shqipëri të vijnë sa më shumë vëzhgues ndërkombëtarë për të vëzhguar nga afër procesin e zgjedhjeve.Gjithashtu Kryeministri Berisha i bëri me dije dy raportuesve të KiE-së edhe arritjet e rëndësishme që janë shënuar gjatë kësaj periudhe, duke filluar nga kuadri ligjor tërësisht i përditësuar, duke implementuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, bazuar tërësisht mbi propozimet e opozitës shqiptare.Nga ana tjetër, u shpreh kryeministri, Shqipëria ka sot sistemin më të mirë e më të sigurt që ekziston për numërimin e votave, i cili përbën një garanci të jashtëzakonshme që rezultati që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të reflektojë besnikërisht  vullnetin e qytetarëve. Këto arritje janë një garanci solide për zhvillimin e një procesi zgjedhor konform standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.Kreu i qeverisë gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin dhe ndihmën që Këshilli i Evropës i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në te gjitha aspektet dhe në veçanti për sa i përket konsolidimit të standardeve të larta të demokracisë.  Ndërsa Raporteret e Asamblesë parlamentare të  KiE-se, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco i shprehën kryeministrit se qëllimi i tyre në këtë vizitë është të vlerësojnë se si faza përgatitore e zgjedhjeve ka ecur deri tani.