Kriza në KQZ, Jani Jani ngrin marrëdhëniet me institucionin
Pas dorëheqjes së dy anëtarëve të PS-së në KQZ edhe anëtari i PBDNJ-it Jani Jani thekson se do të ngrijë marrëdhëniet me institucionin e administrimit të zgjedhjeve.Në një deklaratë për mediat, Jani thekson se nuk do të marrë pjesë në asnjë nga mbledhjet e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.“Ngjarjet e ditëve të fundit që nisën me debatet për lirimin e një anëtari të KQZ-së dhe që u finalizuan me ndërprerjen e mandatit në mënyrë të kundraligjshme me dhunën e kartonave si edhe aktet e dorëheqjes së dy kolegëve të mi, me obligon të shpreh mendimin dhe qëndrimin tim si anëtar i KQZ-së. Kam pranuar me dëshirë detyrën e anëtarit të KQZ-së, vetëm e vetëm për të kontribuar në proceset zgjedhore. Kam besuar se ajo që shprehet në ligj nuk është e detyrueshme vetëm për ne, por edhe për politikën. Për fat të keq konstatoj, duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit se forca të caktuara politike dhe konkretisht mazhoranca aktuale haptazi ka ndërmarrë veprime që cënojnë pavaresinë e këtij institucioni duke shkelur ligjin. Dua të nënvizoj se për arsye të situatave të krijuara dhe në pritje të një reflektimi real, të dukshëm të politikës për të hequr dorë nga tentativat për të cënuar pavarësinë e ketij institucioni, si edhe në shenjë solidariteti me kolegët e mi, deklaroj ngrirjen e veprimtarisë time formale në KQZ” thekson Jani.Gjithashtu anëtari i KQZ-së Jani ka vlerësuar aktin e dorëheqjes së dy kolegëve Denar Biba dhe Albana Shtylla si zgjedhje të drejtë të bindjes së tyre.