Fier, zjarr në ullishte, vdes 67- vjeçari nga asfiksimi

Një 67-vjecar ka humbur jetën si pasojë e asfiksimit nga tymi. Ngjarja është shënuar në fshatin Margëllic të Patosit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes rreth orës 16.00 të ditës së enjte një zjarr i papritur ra në kodrat me ullinj të fshatit në fjalë.I moshuari ka qenë duke punuar e pastruar ullishtat, pronë e kunatit të tij Ceno Hoxha, i cili ia kishte lënë atij në përdorim. Mendohet se ai ka qënë duke pastruar ullinjtë nga shkurret dhe iu ka vënë flakën këtyre të fundit. Mirëpo situata i ka dalë jashtë kontrollit dhe është rrethuar nga flakët.Edhe pse është munduar të largohet, tymi i ndihmuar nga era e kanë rrethuar aq sa kur kanë mbërritur banorë të zonës për të ndihmuar shuarjen e flakëve e kanë parë të moshuarin të shtrirë në tokë. Menjëherë kanë njoftuar policinë dhe urgjencën e spitalit , por i moshuari ka ndërruar jetë. Edhe policia jozyrtarisht raportoi lajmin duke thënë se dyshohet asfikësimi nga tymi.“Një i moshuar ka humbur jetën pasditen e sotme në fshatin Margëlliç të Fierit, pasi ullishtja e tij u përfshi nga flakët. 76-vjeçari Elmaz Leka ishte duke punuar në parcelën e tij me ullinj në kodrat e Margëlliçit, kur është rrethuar nga flakët që përfshinë pemët njëra pas tjetrës. Policia po heton shkaqet e rënies së zjarrit”,-kanë thënë burimet policore.Ky është zjarri i parë i rënë gjatë këtij viti në përmasa të tilla, Sipërfaqja e dmëtuar me ullinj shkon në rreth 10 ha.