Ruçi: Na diskretituat me partnerët. Patozi: Rama po tenton bllokimin e KQZ

Parlamenti është shoqëruar sot me debate të ashpra në lidhje me shkarkimin e anëtarit të LSI-së nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka debatuar me deputetët e opozitës duke u kërkuar atyre të përqëndrohen në rendin e ditës për projktligjin për patentat europiane dhe jo në axhendën politike.Kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi theksoi se me shkarkimin e Muhos është përdhosur Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve."Si nuk ju vjen marre para këtij vendi dhe më dërgoni mua shkresën që brenda 48 orëve duhet të zëvendësojë vendet, cilët vend? Atij që e përdhosët, që e politizuat me aktin që bëtë, të atij institucioni që i thatë shqiptarëve që ju votoni se ne i numërojmë. Jeni opozitë me shifrat e popullit. Këtu s`bëhet fjalë që të kemi shumicën por të kemi institucione të besueshme të votës së lirë të shqiptarëve” ka theksuar Ruçi.Gjithashtu Ruçi i kërkoi kryeparlamentares të lërë të lirë deputetët të flasin pasi sipas tij nuk mund të bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur, ndërkohë që ligji është shkelur e drejtësia nuk funksionon.“Ne nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur gjë, ka ndodhur dhe është hata e madhe, sot e kësaj dite me vjedhjen e votave në 2009 nuk jeni maxhorancë. Po na diskretitoni e po na prishni me partnerët tanë evropiane e ju thoni do ikni për lesh”.Ndërsa kreu i grupit të PD-së Astrit Patozi ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se po tenton bllokimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.“Zgjedhjet do të mbahen dhe do të jenë të lira dhe të ndershme për sa na takon si maxhorancë. Zgjedhjet do të mbahen dhe ato do t'i fitojë Partia Demokratike për 1 mijë arsye. Në betejën reale të zgjedhjeve e kemi me Partinë Socialiste. Dy anëtarët e KQZ të propozuar nga PS dhanë dorëheqjen pas urdhrit politik. Zgjedhjet janë të garantuara dhe do te mbahen pavarësisht vendimeve bllokuese, që do të marrë Rama” është shprehur Patozi.Patozi theksoi gjithashtu se  anëtarët e KQZ-së të cilët dhanë dorëheqjen treguan se janë ushtarë partie të cilët largohen pas komandës së Ramës.“Kuvendi nuk ka mbajtur kurrë zi për shkarkimin e një funksionari dhe anëtari të KQZ, janë liruar dhe shkarkuar shumë më të rëndësishëm se Ilirjan Muho dhe Kuvendi se ka kthyer kokën pas. Politikanët nuk merren me të shkuarën por shohin nga e ardhmja. Por kjo është pasoja e re e krushqisë së 1 prillit. Ju dje i dhatë çdo shqiptari arsyet pse Ilirjan Muho nuk mund të qëndronte asnjë dite në KQZ, sepse anëtarë e KQZ, u sollën si militantë të thekur partie, se kur Rama jep komandën ata nisen", tha PatoziSi replikë ndaj kolegut të tij demokrat Astrit Patozi, Ruçi i bëri thirrje mazhorancës që të korrigjojë gabimet dhe të gjejë maturinë për të zhbërë ato që sipas tij bëri pak ditë më parë.Ruçi shtoi se me vendimin e marrë mazhoranca vrau besimin e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve për zgjedhje të lira teksa shtoi se është kompromentuar dhe e ardhmja evropiane e vendit.Ndërkohë, largimi i djeshëm i Albana Shtyllës, krijoi dy vende vakant në KQZ, në një kohë kur procesi për përgatitjet e zgjedhjeve të 23 qershorit ka hyrë në një pikë kritike.Kryetarja e Parlamentit i kërkoi dje kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste të sjellë në Kuvend brenda 48 orëve dy propozimet e reja, por nga selia rozë nuk ka ende asnjë shenjë për zëvendësimin e Bibës dhe Shtyllës.