Ndërsa debati në parlament mori një rrjedhë krejt tjetër, duke lënë në hije cështje të rëndësishme të rendit të ditës, si propozimi i paketës fiskale, numri një i Financave Ridvan Bode nga foltorja e parlamentit ka lëshuar akuza në drejtim të opozitës se janë kapur nga paniku i humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit. Bode nuk e ka kursyer edhe ironinë për të majtën e bashkuar, ku u shpreh se situata e tensionuar është pasojë e ngjalave dhe verës së pirë në Durrës.“Ju sot nuk folët për ekonominë dhe uljen e taksave, por folët për humbjen e zgjedhjeve. Edi Rama sa herë bëhet fjalë për ulje taksash bën tellall në parlament, as nuk i skuqet as nuk i nxihet faqja kur u thotë shqiptarëve më votoni se do ju rrisë taksat, do aplikojmë taksën progresive. Ai është killer biznesi, është maniak i taksave të larta, është rritës serial i taksave. Si ka mun dësi që eksportet nga 5 miliardë lekë që i kishit ju ,janë 14 miliardë lekë. Është politika e taksave të ulta që bëri të mundur rritjen e ekonomisë dhe eksporteve. Vetë e hëngrët ngjalën, e pitë dhe verën dhe tani që po u del vera keni filluar të qaheni, o lele vota, o lele Komisioni se e keni kuptuar se nuk jeni dhe aq të fortë. Po nju del vera e pirë me ngjalën dhe po e kuptobni se jeni shumë larg fitores dhe s’keni për të fituar” tha Bode.Ministri i Financave shtoi më tej se nëse Shqipëria i shpëtoi recesionit, kjo është vetëm meritë e politikave fiskale dhe reformave të ndërmarra nga qeveria, objektiv të cilin synon edhe paketa fiskale e sjellë në parlament.“Qeveria ka ulur taksat, cfarë bëri që Shqipëria të jetë mes tre vendeve që nuk u prek nga kriza. Tashmë kemi sjellë këtë paketë fiskale për të mbajtur ekonominë jashtë vorbullës së krizës. Kemi ndryshuar ligjet e taksave sa herë që i është dashur ekonomisë. Kjo dëshmon se qeveria ka pasur instrumenta për t'u mbrojtur nga kriza.Paketa fiskale ka si synim rritjen e prodhimit dhe të punësimit.Bujqësia përfitoi nga kriza globale, duke rritur eksportet dhe të ardhurat,dy masa thelbësore për të ruajtur fuqinë blerëse. U hoq tatimi mbi të ardhurat deri në 300 mijë leke dhe u ulën taksat e makinave” tha ai.
Ndërkohë që në rrjetin social facebook, Bode ka sqaruar dhe një cështje shumë të ndjeshme, shpërblimin për ish të burgosurit politik. Sipas Ministrit paralelisht po vazhdon shqyrtimi dhe shpërndarja e këstit të parë dhe të dytë, ku për këtë të fundit brenda dy muajve perfundon pagesa e plotë per te gjithe ish-te denuarit politike.
“Te nderuar miq, po ndaj me me ju nje informacion ne lidhje me pagesat per ish te perndjekurit politike.Jane miratuar nga Keshilli i Ministrave gjithsej 11729 dosje per ish te denuarit politik. Jane paguar per kestin e pare gjithsej 10594 dosje per ish te denuarit politik. Jane duke u paguar per kestin e pare 1135 dosje. Pagesa e kestit te dyte eshte kryer per 3885 dosje te ish te denuarve politike dhe jane duke u paguar per kestin e dyte edhe 6397 dosje te ish te denuarve politike. Neser kalon liste pagesa per mbi 700 dosje. Per rreth dy muaj do te perfundoje pagesa e kestit te dyte per te gjithe ish-te denuarit politike” shkruan Bode.
Vlen të theksohet se herë pas herë ka pasur pakënaqësi nga shtresa e ish të përndjekurve politikë për mosmarrjen e shpërblimit të viteve të burgut, ku jo më larg se të hënën një grup i vogël i tyre protestuan para Kuvendit të Shqipërisë.