Ashton: Proces zgjedhor i besueshëm, të shmangen retorikat e ashpra
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian Chatherine Ashton ka kërkuar një proces zgjedhor të besueshëm për votuesit si dhe shmangien e retorikave të ashpra politike.Në një takim me presidentin Bujar Nishani, Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore duke respektuar etikën.Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Catherine Ashton theksoi se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen.Ndërsa, kreu i shtetit shprehu angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e integrimit dhe përgjegjësinë për të qenë anëtare e denjë e Bashkimit Europian.Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane ndërsa ka shtuar se sfida e vetme për t'u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve.Një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua situatës në rajon, ku bashkëbiseduesit vunë në dukje se bashkëpunimi dhe e ardhmja europiane janë e vetmja alternativë për vendet e Ballkanit Perëndimor.Presidenti Nishani, në këtë kuadër, vlerësoi kontributin e Baroneshës Ashton për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe veçanërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe e garantoi se politika e Shqipërisë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon mbetet e pandryshuar.Të dy bashkëbiseduesit ishin në një mendje se, Presidenti i Republikës mund të luajë një rol moderues dhe të përcjellë mesazhe të nevojshme gjatë dhe pas procesit elektoral në përputhje me statusin e tij institucional.Takimi në Presidencë ka zgjatur rreth 45 minuta ndërsa më pas Baronesha Ashton është pritur në kryeministri nga kreu i qeverisë, Sali Berisha.Gjithashtu Baronesha Ashton është takuar edhe me kryesocialistin Edi Rama ndërsa më pas ka dhënë edhe një konferencë për mediat.Vizata e Ashton vjen në një kohë, kur klima politike në Shqipëri është nxehur për shkak të debatit për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së.