Bumçi pret Moron: Franca e gatshme të asistojë Shqipërinë në proçesin e integrimit

Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, priti sot në një takim kortezie Ambasadoren e Francës në Tiranë, Christine Moro.Ministri Bumçi, e siguroi Ambasadoren franceze për vazhdimësinë e angazhimit të qeverisë shqiptare për përmbushjen e të gjitha reformave të nevojshme me qëllim realizimin e objektivit madhor të politikës sonë të jashtme, integrimit të vendit në familjen evropiane.Në vijim, ai shprehu vlerësimin për frymën shumë të mirë të bashkëpunimit dypalësh dhe në këtë kuadër theksoi rëndësinë e intensifikimit të dialogut politik, nëpërmjet shtimit të kontakteve në nivele të larta.Gjithashtu, Ministri Bumçi falenderoi për mbështetjen e Francës në proçesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe vlerësoi rolin e saj në Ballkan si një një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të tij.Ambasadorja franceze, vlerësoi nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit dypalësh dhe shprehu vullnetin e palës franceze për të punuar në dy drejtime kryesore: në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha si ekonomia, arsimi, kultura, etj., si dhe në kuadër të proçesit të integrimit evropian.Lidhur me integrimin, Ambasadorja theksoi se pala franceze është e gatshme të mbështesë dhe të asistojë Shqipërinë në këtë proçes duke ofruar eksperiencën e saj në fushën e rendit, drejtësisë, si dhe në fusha të tjera më interes.Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe zhvillimin e tyre në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare, si dhe shkëmbyen mendime mbi zhvillimet e fundit në rajonin tonë.