KQZ miraton 86 qendra votimi në ndërtesa private, i pranishëm edhe Muho

Ndërsa beteja mes partive politike vazhdonte në parlament me argumta pro dhe kundër shkarkimit të tij nga KQZ, vetë anëtari i LSI, Ilirjan Muho, ky i fundit ka vazhduar ditën normale të punës në mbledhjen e radhës së këtij institucioni.Këtë qëndrim Muho e sinjalizoi edhe të shtunën, ndërsa mori pjesë në testimin e projektit pilot të numërimit elektronik, ku deklaroi se ai është zgjedhur konform ligjit dhe si i tillë nuk do të japë dorëheqjen, por do të vazhdojë detyrën për të cilën është zotuar ta kryejë sipas të gjitha procedurave ligjore.Sakaq KQZ në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi:-Projektvendimin, “Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar i cili do të organizojë punën për paraqitjen e Aziz Jata si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Tiranë, për zgjedhjet për Kuvendin të datës 23.06.2013”. Akti u miratua me 7 vota pro.-Projektvendimin, “Për miratimin e disa qendrave të votimit në ndërtesa private, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23.06.2013”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga 107 qendra votimi që përmbante propozimi, miratoi me Konsensus 86 qendra votimi në ndërtesa private për Qarkun e Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës. KQZ vendosi që të bëhet verifikim i mëtejshëm për 21 qendra votimi, të propozuara për tu vendosur në ndërtesa private. Akti u miratua me 7 vota pro.- Projekt-udhëzimin, “Për disa shtesa dhe ndryshime të Udhëzimit nr.8, datë 25.03.2009 “Për miratimin e kritereve dhe proçedurave për përzgjedhjen dhe emërimin e ekspertëve kontabël të liçensuar për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për fushatën zgjedhore”. Udhëzimi ka për qëllim të përcaktojë kriteret e përzgjedhjes dhe procedurat e emërimit nga KQZ-ja, të ekspertëve kontabël, me qëllim kryerjen e auditimit në mënyrë ligjore, të paanshme, transparente dhe profesionale, të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për zgjedhjet dhe gjatë vitit kalendarik (jo zgjedhor). Akti u miratua me 6 vota pro dhe 1 kundër.