MPJ reagon ndaj akuzave të PS për emigrantët: Ne i anëtarësuam në NATO, ju bllokuat statusin

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar lidhur me deklaratat e Sekretarit për Rininë dhe Emigracionin në PS, Erion Veliaj, në drejtim të imazhit të Shqipërisë dhe trupit diplomatik që përfaqëson sot shqiptarët kudo në botë. Përmes një komunikate për mediat MPJ shpreh indinjatën për deklaratat e papërgjegjshme, fyese dhe denigruese, sipas saj, të lëshuara nga selia e Partisë Socialiste, ndërsa i kujton asaj se është ajo që ka bllokuar tre ligjet në Kuvend, votimin e të cilëve e presin me padurim qytetarët brenda dhe jashtë vendit.“I kujtojmë zëdhënësit të z. Rama, z. Veliaj, se gjatë kësaj qeverisjeje, qytetarët shqiptarë kudo ndodhen, brenda apo jashtë kufijve të vendit, kanë arsye për të qenë më krenarë se kurrë për vendin e tyre. Shqiptarët kudo ndodhen, sot përfaqësojnë një vend anëtar të NATO-s. Shqiptarët kudo ndodhen, posedojnë pasaportën së cilës i besojnë 26 vendet anëtare të Shengenit. Shqiptarët kudo ndodhen, presin me padurim që Partia Socialiste të votojë tre ligjet që u japin dritën jeshile për statusin e vendit kandidat.Sipas MPJ, rrekja e zëdhënësit të Edi Rames, për të sulmuar trupin diplomatik të Republikës së Shqipërisë, është në sinkron të plotë me përpjekjet e tij për të eklipsuar vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri, për të mbajtur shqiptarët të izoluar nga lëvizja pa viza drejt BE-së, për të ndërkombëtarizuar rastin “Griselda”, etj.Ministria e Punëve të Jashtme, gjen rastin të sigurojë të gjithë qytetarët shqiptarë, se vazhdon të punojë me përkushtim për të trajtuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit të gjitha çështjet e hapura me vendet e tjera.“Të gjitha këto çështje, përfshirë atë të toponimeve me Greqinë, apo për sigurimet shoqërore, etj, janë pjesë e axhendës diplomatike në kontaktet e përditshme të këtij dikasteri” përfundon deklarata e MPJ.Më herët Veliaj denoncoi ato që ai i quajti gënjeshtra të Kryeministrit, lidhur me premtimet e bëra ndaj emigrantëve. Sipas tij shqiptarët vazhdojnë të përballen me burokracinë dhe korrupsionin nëpër ambasadat e konsullatat e mbushura me militantë, dhëndurë e farefis të partisë në pushtet.“Shqiptarëve në emigrim, nuk u njihen kontributet për pension dhe sigurime shoqërore e shëndetësore, dhe vazhdojnë të diskriminohen vetëm për faktin se kryeministri nuk di se ç’nxjerr nga goja në përçartjet e tija pseudonacionaliste” deklaroi Veliaj.