Byroja e Kuvendit ndëshkon 4 deputetë të PS-së
Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi mbrëmjen e djeshme lirimin e përfaqësuesit të LSI në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.Në vend të Ilirjan Muhos, u emërua me 73 vota Klement Zguri i propozuar nga Partia Republikane. Por, para votimit parlamenti u përfshi nga tensione, pas një përplasje mes disa deputetëve socialistë dhe deputetit Kastriot Islami.Pas seancës parlamentare, Byroja e Kuvendit ndëshkoi deputetët Gazmir Bizhga, Sajmir Tahiri, Ndrecë Deda dhe Arben Çuko. Bizhga, Deda e Çuko u përjashtuan për 21 ditë, ndërsa Sajmir Tahiri u dënua më 14 ditë përjashtim nga Parlamenti.Vendimi i publikua në faqen e Kuvendit ku thuhej se "Byroja e Kuvendit nën drejtimin e Kryetares se Kuvendit, në mbledhjen e datës 15.04.2013, mori në shqyrtim veprimet e dhunshme të deputeteve Gazmir Bizhga, Ndrec Deda, Arben Çuko dhe Sajmir Tahiri. Këta deputetë me veprime të dhunshme tentuan të pengonin deputetët që të ushtronin funksionin e tyre kushtetues për të votuar çështjet e rendit të ditës. Deputetët e mësipërm ju morën kartat e votimit, tre deputetëve.Veprimet e mësipërme të dhunshme për të mos lejuar deputetët për të votuar, u shoqëruan edhe me kërcënime e fjalë fyese ndaj këtyre deputetëve.Pas vlerësimit të këtyre rrethanave, në unanimitet, Byroja e Kuvendit mbështetur në nenin 65 pika 2 të Rregullores vendosi ndalimin për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në séance plenare dhe në Komisione të deputetëve Gazmir Bizhga, Ndrec Deda, dhe Arben Çuko për 21 ditë, dhe për deputetin Sajmir Tahiri për 14 ditë".