Policia arreston 8 futbollistë argjentinas
Policia ka arrestuar dhe më pas ka lënë të lirë 8 lojtarë argjentinas të Arsenal Sarandi, të cilët u ndaluan për shkak se sulmuan pikërisht forcat e rendit në fund të takimit kundër Atletiko Mineiro të humbur me rezultatin 5-2. Policia kishte hyrë në fushë për të mbrojtur gjyqtarin nga argjentinasit që po protestonin më me zell se zakonisht, por situata degjeneroi në një zënkë të mirëfilltë me lojtarët, që solli edhe arrestimin e 8 prej tyre, ku 7 tani përballen me akuza për dhunë dhe rezistencë ndaj autoriteteve policore. Ngjarja ka shkaktuar shumë polemika në Argjentinë, me gazetën "Olè" që nuk ka ngurruar ta cilësojë këtë si një "skandal brazilian". Gazeta vë në dyshim aftësinë e brazilianëve për të menaxhuar situata të vështira, duke pyetur se si është e mundur që ngjarje të tilla ndodhin në një vend që vitin e ardhshëm do të organizojë Kupën e Botës. Gazeta kujton edhe ngjarjen e vitit të kaluar në finalen e kthimit të Kupës së Amerikës së Jugut mes Sao Paulo dhe Tigre, me futbollistët argjentinas që refuzuan të zbrisnin në fushë në pjesnë e dytë pasi denoncuan policinë braziliane se i kishte sulmuar dhe kërcënuar në dhomat e zhveshjeve.Por sipas brazilianëve, gjithçka ka filluar me një agresion ndaj një koloneli të policisë ushtarake, Klaudia Araujo. "Nuk kishin as respektin më të vogël, goditën një grua", ishte komenti i Eduardo Maluf, drejtues i Atletiko Mineiro.