Barcelona ndalet ne Francë nga PSG me rezultatin 2-2
Barcelona e yjeve nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 ndaj PSG, skuadrës e cila ka shpenzuar shuma të mëdha për të ndërtuar një ekip të denjë për rivalitetin në Europë. Pa Mesin në pjesen e dytë Katalanasit janë treguar jo shumë të rrezikshëm në ndeshjen e luajtur në "Park De Princ" përballë kryeqytetasve francezë në takimin e vlefshëm për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Ashtu siç pritej, ka qenë një ndeshje spektakolare, por që gjithsesi është ndikuar edhe nga disa episode.Fillimisht ishin vendasit që krijuan rastet më të pastra me Ibrahimoviç e Lavecin, me këtë të fundit që goditi edhe shtyllën. Por më pas katalanasit vendosën diktatin e tyre në fushën e lojës, duke arritur të gjenin rrugën e rrjetës me të zakonshmin Lionel Mesin, i aftë të shfrytëzonte një pasim të jashtëzakonshëm të Dani Alvesh por të mposhtur portierin Sirigu. Më pas, argjentinasi dëmtohet dhe nuk hyn në fushën e lojës në pjesën e dytë, duke bërë që forca ofensive e Barcelonës të bjerë ndjeshëm.PSZH merr zemër dhe shfrytëzon aftësitë teknike dhe ajrore të Ibrahimoviç. Në minutën e 80-të, Tiago Silva gjuan me kokë dhe godet shtyllën, ndërsa topin e shtyn në rrjetë Ibrahimoviç i cili rikthen gjithçka në barazpeshë. 1 minutë para përfundimit të kohës së rregullt katalanasit kthehen përsëri në avantazh pas penalltisë të fituar nga Sançez. Nga pika e bardhë gjuan Ksavi që nuk gabon duke i dhënë edhe një herë barcelonës avantazhin. Duket sikur ndeshja kishte mbaruar, por forca e dëshpërimit sjell mrekullinë për PSG në minutën e fundit të shtesës. Ibrahimoviç ul topin për Matudi, i cili gjuan në hyrje të zonës dhe dërgon topin në rrjetë duke vulosur rezultatin e takimit në 2-2, rezultat i cili lë gjithçka të hapur për sfidën e ardhshme që do të luhet në Kamp Nou.