Alonso dhe Ramos duan të jenë "të pastër" për gjysëmfinalen e Champions
Ksabi Alonso dhe Serxhio Ramos janë bërë përsëri protagonistë të një tentative për të marrë një karton të verdhë me dashje, në mënyrë që të dalin "të larë" para gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve. Dy futbollistët e kanë bërë edhe më parë një gjë të tillë në këtë turne, në vitin 2010 ndaj Ajaksit, me urdhër të Zhoze Murinjos, në një skenë që bëri bujë edhe në atë periudhë. Këtë radhë nuk kishin nevojë për instruksione pasi kanë bërë gjithçka vetë në perfeksion. Në minutën e 90-të të ndeshjes, Ksabi Alonso shkakton faull pranë zonës ndaj Ebue. Gjyqtari vërshëllen me të drejtë por Serxho Ramos vjen me shpejtësi dhe shkelmon topin në shenjë nervozizmi, dukë marrë kartonin e verdhë. Më pas, është Ksabi Alonso që i afrohet gjyqtarit dhe dialogun me të pafundësisht, derisa "xhaketa e zezë" nxjerr nga xhepi kartonin e verdhë. Të dy lojtarët duken shumë të qetë më pas, ndonëse rezultojnë të skualifikuar për ndeshjen e kthimit ndaj Gallatasarajit të një jave më vonë. E gjithë kjo lëvizje është bërë që ata të jenë "të pastër" për takimet gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, pasi mendohet që ndeshja e kthimit kundër skuadrës turke do të jetë vetëm një formalitet.Por UEFA ka bërë të qartë se do të fillojë një hetim rreth kësaj ngjarje, pasi rregullorja për raste të tilla ka ndryshuar dhe parashikon që ndëshkimi për raste të tilla të jetë dy ndeshje, pra duke bërë që dy lojtarët spanjollë të humbin edhe një gjysmëfinale të mundshme.