Berisha: Le të ecim të sigurtë drejt mandatit tjetër, atyre tu lëmë ngjalat
Nga OraNews Përditësimi i fundit 3 Prill 2013, 10:12
Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar nga Durrësi koalicionin e pritshëm PS- LSI, pas largimit të aleatit qeverisës nga koalicioni. Duke folur gjatë vizitës në një kompani të përunimit të peshkut shefi i qeverisë tha se Partia Demokratike dhe mazhoranca është e vendosur të ecë përpara me reformat drejt mandatit të tretë.“Do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të krijojnë më shumë të ardhura. Ishte një shans i madh që reformat që kemi ndërmarrë kohët e fundit por edhe ato që do të ndërmarrim mbrojtën Shqipërinë nga recesioni në kulmin e krizës europiane. Reformat që do të ndërmarrin fill pas zgjedhjeve do të jenë një nxitje e fuqishme për rritjen ekonomike, për rritjen e të ardhurave dhe të punësimit. Le të ecin ne drejt mandatit të sigurtë, drejt mandatit të tretë, ti lëmë atyre ngjalat që sapo pash aty poshtë” është shprehur kryeministri.Kryeministri Berisha gjithashtu ka garantuar se qeveria është e vendosur katër vitet që vijnë do të zbatojë një plan kombëtar për peshkun, që do të synojë shumëfishimin e të gjitha kapaciteteve të këtij sektori, që do nisë me ripërtëritjen e plotë, heqjen e detyrimeve tatimore për çdo material që duhet për ketë fushë, subvencionim për rasatet që duhen, shumëfishim fermave të peshkut.
Sipas kryeministrit, plani kombëtar për peshkun synon krahas mbështetjes për sipërmarrësit e këtij sektori, edhe krijimin e mijëra vendeve të punës dhe shndërrimin në motor për zhvillimin ekonomik.
“Peshkimi dhe ky sektor në tërësi përbën një nga potencialet e mëdha të zhvillimit të ekonomisë në Shqipërisë, jemi një vend me bregdet 400 km në ujërat e të cilin rriten specie nga më të kërkuarat, ka liqene në të cilat ka specie unike ndër më të rrallat. Potencial të madh për tu zhvilluar dhe shfrytëzuar, eksporti arrin në 20 milionë euro por ekzistojnë të gjitha potencialet që industria të funksionojë e tëra me prodhimet tona” tha Berisha.