Ministri Panariti, nis vizitën zyrtare në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë

Ministri Panariti, nis vizitën zyrtare në Mbretërinë Hashemite të JordanisëNë takimin që ai pati me Kryeministrin jordanez, Abdullah Nsour, u theksua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve tradicionale mes dy vendeve. Ministri Panariti shprehu dëshirën e qeverisë shqiptare për zgjerimin e mëtejshëm të kontakteve politike mes dy vendeve në të gjitha nivelet. Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, ai shprehu kënaqësinë që një numër kompanish jordaneze operojnë në tregun shqiptar. Ai kërkoi me këtë rast institucionalizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare përmes krijimit të Komisionit të Përbashkët të Bashkëpunimit Ekonomik dhe nxitjes së raporteve ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dy vendeve. Ministri Panariti përshëndeti reformat që po ndërmerren kohët e fundit në Jordani në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike.Nga ana e tij, Kryeministri Nsour e konsideroi vizitën e Ministrit Panariti si një hap të rëndësishëm në konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ai vuri në dukje se Qeveria jordaneze është shumë e interesuar për forcimin e marrëdhënieve me Qeverinë shqiptare nisur dhe nga pozita e Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon, si anëtare e NATO-s dhe aspiruese për tu bërë anëtare e BE në të ardhmen. Kryeministri jordanez theksoi, gjithashtu, nevojën e zgjerimit të kontakteve mes dy popujve nëpërmjet nxitjes së bashkëpunimit në fushën e kultures, arsimit dhe turizmit.Në vijim biseda u përqëndrua në situatën në rajonet respektive. Ministri Panariti shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe popullit shqiptar për njohjen që iu bë shtetit të Kosovës nga Jordania, duke qenë vendi i parë arab që hodhi këtë hap. Duke iu referuar pasojave të krizës siriane, Ministri Panariti shprehu admirimin dhe njëkohësisht solidaritetin e Qeverisë shqiptare me përpjekjet e autoriteteve jordaneze për përballimin fluksit të madh të refugjatëve sirianë që janë vendosur në kampet e ngritura në Jordani. Të dy bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të përbashkëta në lidhje me zgjidhjen e krizës siriane dhe të çështjes palestineze.