Vrasja e kryekomisarit të Shijakut, zhvillohet gjyqi ndaj Ilir Xhakjas
Gjykata e Krimeve të rënda po zhvillon sot seancën gjyqësore ndaj Ilir Xhakjas, i cili akuzohet për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj.Vetë i pandehuri nuk është i pranishëm në seancë por përfaqësohet nga avokati i tij mbrojtës Andi Duraj.Gjyqi ka vijuar sot me pyetjen e dëshmitarëve ku janë marrë në pyetje vëllai i Ilir Xhakjas, Fatbardh Xhakja dhe nipi i tij Ledion Krasnaj."Ditën e vrasjes së komisarit Adem Tahiraj vura re që kishte lëvizje policie në Sukth dhe më pas pash edhe që policia kishte bllokuar një makinë. E njihja kryekomisar Tahirin pasi jam edhe nënkryetar komune i Sukthit. Atë ditë Tahiri debatoi edhe me mua pasi donte të më bllokonte makinën. 15 minuta pasi e kam parë Tahirajn më njoftuan për ngjarjen" është shprehur Fatbardh Xhakja.Në dy seancat e kaluara janë marrë në pyetje disa dëshmitarë të organit të akuzës dhe asnjëri prej tyre nuk e kishte parë momentin e vrasjes së kryekomisar Adem Tahirajt nga i pandehuri.Të gjithë të pyeturit, pranuan para togave të zeza se kishin parë viktimën dhe efektivët e tjerë të policisë duke patrulluar zonën, ku edhe ka ndodhur ngjarja.Ish-kreu i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, u ekzekutua më 13 Shtator, në fshatin Katund Sukth ndërsa për vrasjen e tij është akuzuar Ilir Xhakja.