Berisha: Çdo forcë politike është e lirë të marrë vendimet që i interesojnë
Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë pasditen e sotme në një konferencë të organizuar nga Partia Demokratike për prezantimin e planit për zhvillimin rural.Ashtu siç pritej, kryeministri e ka nisur fjalën e tij në këtë konferencë duke bërë komentet e tijpër zhvillimet e fundit në lidhje me largimin e LSI-së nga koalicioni qeveritar.“Në lidhje me lajmet për mundësinë e largimit të LSI-së nga qeveria, personalisht jam shprehur në mënyrë të përsëritur se çdo forcë politike është e lirë dhe e pavarur të marrë vendimet që i interesojnë, në interesin më të mirë për veten e saj dhe të ardhmen. Për sa më përket mua dhe Partisë Demokratike dua të theksoj se kjo kohë është koha e përgjegjësisë më të madhe të qeverisë ndaj unë mbetem shumë i vendosur që qeveria të bëjë gjithëçka që tu garantoj shqiptarëve një proçes zgjedhor të standarteve më të mira ndërkombëtare, një proçes zgjedhor në respekt të plotë të ligjit shqiptar të zgjedhjeve dhe të Kushtetutës së vendit.Problemi që krijohet nga një vendim i tillë, është një problem që ka zgjidhje të plotë në kushtetutën e vendit. Kushtetuta e Shqipërisë është një Kushtetutë demokratike e standarteve më të avancuara. Ka marrë fund koha kur Kushtetuta linte dy palë ministra në një vend. Unë i garantoj qytetarët që Kushtetuta do të zbatohet pikë për pikë.Duke punuar me përkushtimin më të madh si kryetar qeverie në interesim më të mirë të qytetarëve shqiptar, unë siguroj të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, se ndihem më i motivuar se kurrë, më me energji se asnjëherë, për ti udhëhequr ata drejt një fitoreje spektakolare në zgjedhjet e 23 Qershorit, drejt një mandati të ri plotësisht të merituar”, u shpreh BerishaMë pas kryeministri foli në lidhje me parashtrimin e projektit të Partisë demokratike për 4 vitet që do të vvijnë, për Shqipërinë rurale dhe bujqësinë shqiptare.“Zhvillimi i qëndrueshëm rural dhe zhvillimi I bujqësisë shqiptare janë proçese jetike të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëra tjetrën. Zhvillimi rural ka rëndësi të madhe për rritjen e punësimit. Shqipëria Rurale e zhvilluar është vendi i furnizimit 24 orë me ujë dhe kanalizime, me zgjidhje të problemit të furnizimit me energji elektrike në zonat rurale. Ne i kemi dhënë stimul të fuqishëm zhvillimit ekonomik”, tha Berisha.Në bashkëbisedimin e tij me gazetarët dhe në përgjigje të shumë pyetjeve të tyre, kryeministri Berisha u shpreh përsëri në lidhje me largimin e LSI-së nga koalicioni qeveritar.“Kushtetuta e Shqipërisë nuk lejon qeveri teknike por vetëm qeveri maxhorance. Ne do të zbatojmë mandatin qeverisës deri në zgjedhjet e ardhshme. Në Shqipëri shumicë dërrmuese janë të djathtët, 53,7% janë të djathtë. Ndihem i privilegjuar që do të udhëdheqë të djathtët shqiptarë drejt fitores. Koalicioni parazgjedhor PD-LSi do ishte një koalicion i panatyrshëm. Nga viti 1999 deri në vitin 2009 kam ecur me koalicione, pasi kjo është në frymën time. Deri tani nuk ka pasur një forcë politike që të jetë larguar sepse nuk i është krijuar hapsira. Unë nuk mund të parashikoj për të ardhmen, por do të bëj gjithëçka për zbatimin e ligjit. Ne kemi bashkuar spektrin më të madh të të djathtëve shqiptarë në këto zgjedhje. Është jashtë çdo imagjinate që një parti të jetë dhe në qeveri dhe në opozitë. Maxhoranca ekziston në parlament dhe gjithëçka do të ecë sipas përcaktimit që i bën Kushtetuta. Zgjedhjet e parakohshme nuk janë të përshtatëshme në këto momente. Gjatë ditëve në vijim do të merren vendimet për maxhorancën dhe për kabinetin. Qeveria do të riformatohet me maxhorancë të qartë në parlament dhe do të përmbushen detyrimet. Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me PBDNJ-në. Rama humbi përsëri, pasi ai shpresonte se do të shkonte në zgjedhje me qeveri teknike. Ministrat e rinj do të kenë autoritetin e tyre për të zgjedhur ekipin e punës”, u shpreh kryeministri.