Berisha: Mbështetje fermerëve gjatë 4 viteve të ardhshme
Kryeministri Berisha ka premtuar më shumë mbështetje për fermerët gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës.Gjatë një takimi në një fermë të rritjes së pulave në Fushë Krujë, kryeministri theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka që t`i lehtësojë fermerët dhe të rrisë prodhimin dhe punësimin."Sektori i shpendarisë është një sektor i rëndësishëm ekonomik. Sot në botën e zhvilluar mishi i pulës përballon 30 përqind të kërkesave të mishit dhe kjo për cilësitë e shkëlqyera që ka për shëndetin e njeriut. Prandaj ne do të bëjmë gjithçka për dyfishimin e prodhimit të tij në vend. Ne do mbështesim pularinë për vezët. Sot Shqipëria prodhon rreth 1 miliard vezë në vit dhe është një prodhues i rëndësishëm që eksporton vezë në rajon dhe më gjerë. Ne do të bëjmë gjithçka që prodhimi, punësimi dhe të ardhurat të rriten së paku me 30 përqind” tha Berisha.Kreu i qeverisë theksoi se në këto 4 vite janë investuar më shumë se kurrë në Shqipërinë rurale si në infrastrukturën rrugore, shkolla, kanalizime, vaditje të cilat sipas tij janë kushte themeore për funksionin e ekonomisë."Ne po mbjellim në katër anët drurë frutorë dhe kur përpara 4 viteve më parë hodhëm idenë e mbjelljes së drurëve frutorë kjo gjë u duk si tepër e largët. Por nuk kishte gjë më të vërtete. Ne do ta bëjmë Shqipërinë një kopsht shkëmbor në brigjet e detit Adriatikut.Shqipëria këto 3-4 vjet ka mbjellë drurë frutorë, ullinj, arrorë, mollë, se në të tërë kohërat e saj. Ndaj dhe ne mbetemti të vendosur të mbështesin fuqishëm fermerët tanë me fonde të reja" shtoi kryeministri.