Gjykata e Lartë: Përfundon mandati për gjyqtarët Dizdari dhe Imeraj

Gjykata e Lartë njofton përfundimin e mandatit të dy gjyqtarëve të saj Besnik Imeraj dhe  Gani Dizdari dhe emërimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese.

 Ja njoftimi i plotë i Gjykatës së Lartë: Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 02.04.2013, mbështetur në kërkesat e nenit 139 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendosën të deklarojnë mbarimin e mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë Z. Besnik Imeraj dhe Z. Gani Dizdari. 

Ky vendim bazohet në dispozitën e gërmës ç, të nenit 139/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pasi në mbështetje të kësaj dispozite, gjyqtarët Besnik Imeraj dhe Gani Dizdari, kanë paraqitur dorëheqjet nga detyra, të cilat janë shqyrtuar nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Z.Besnik Imeraj dhe Z.Gani Dizdari, me dekret të Presidentit të Republikës janë emëruar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.