Dogjani: Largohem nga PS, do kandidoj si i pavarur

Në një kohë kur Partia Socialiste po synon bashkimin e së majtës duke ftuar Lëvizjen Socialiste për Integrim në koalicon, ka humbur një votë deputeti në Kuvendin e Shqipërisë.Përfaqësuesi i vetëm i qarkut të Kuksit nga radhët e selisë rozë, Asllan Dogjani, pas një përplasje me kryetarin Edi Rama ka vendosur largimin nga grupi parlamentar socialist."Iu bëj me dije një vendim dhe arsyet pse unë sot deklaroj të shkëputem, më detyrojnë të largohem nga PS, kreu Rama pasi nuk ka marrë në konsideratë vlerat e demokracisë. Ky është vendim i paralajmëruar, por është berë publik sot e ka të bëjë me mungesën e demokracisë së brendshme në Parti, per strukturat e qarkut Kukës, djersës e mundit të tyre, mënyrës si ka vepruar duke mos vlerësuar punën time duke caktuar në lista kandidatë pa vlerë e kontribute” tha Dogjani.Pasi ka vlerësuar bashkëpunimin me kolegët e tij socialist Dogjani është shprehur se kandidimi i tij si i pavarur do të bëjë të mundur  që të mbrojtë të drejtat e zgjedhësve në Parlamentin e ardhshëm të vendit.“U jam mirënjohës, une kandidoj si i pavarur me besimin se do të kem mundësinë të mbroj liritë dhe vlerat e demokracisë. Shoh mundësin që duke kandiduar si i pavarur do të jem pjesë e parlamentit për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e zgjedhësve. Nuk largohem nga PS, kryetari më detyron. Jam i pavarur e do të veproj si i pavarur” shtoi Dogjani.Dalja si i pavaruar i Asllan Dogjanit ndryshon përsëri raportet e numrave në Kuvendin e Shqipërisë dhe me shumë mundësi pas Kastriot Islamit, një tjetër votë do të shërbejë si oksigjen për mazhorancën.